Zgjedhjet e pjesshme, KVV: Po politizohet gara në Kolonjë si në Dibër
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është në ndjekje të procesit zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Kolonjë.
Në analizën e saj, KVV vëren katër çështje problematike si: Precedenti i Zgjedhjeve në Bashkinë Dibër, Fushata Zgjedhore në Bashkinë Kolonjë, Reformën Administrative-Territoriale dhe Politizimin e Qeverisjes Vendore.
Në të katërta këto pikëvështrime, përpiqet të ngrihet shqetësimi i ecurisë institucionale dhe qeverisjes në vend.
Problematikat dhe shqetësimet në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për Kryetar të Bashkisë Kolonjë, krahasuar edhe me ecurinë në Bashkinë Dibër, shihen si pjesë e një fenomeni më madhor.
KVV vlerëson se ka një vazhdimësi në përpjekjet e partive politike në politizimin e qeverisjes vendore dhe funksionalizimin e saj ndaj qeverisjes qendrore dhe debatit politik.
Përpjekje që jo vetëm kërcënojnë traditën e brishtë të qeverisjes vendore në vend dhe nismave më të fundit të legjslatorit në forcimin e qeverisjes vendore, por ajo që përbën shqetësimin më madhor ka të bëjë me relativizimin e kësaj qasje.
Vijueshmëria e këtyre fenomeneve në proceset zgjedhore po imponohet si normalitet që prej lidershipeve politike, strukturave lokale partiake dhe deri tek vetë qytetarët.
Nga vëzhgimi i kryer së fundmi, por dhe në përvojën e deri më sotme, KVV, ngre me forcë shqetësimin se përvojat jo të suksesshme deri më sot të proceseve zgjedhore, kriza e vazhdueshme e demokracisë shqiptare, po deformojnë pritshmëritë dhe besimin e qytetarëve ndaj proceseve zgjedhore apo edhe vetë demokracisë.
KOHA JONË SONDAZH

