Himara shkon sot në zgjedhjet e pjesshme, 23.074 qytetarë të ftuar për të shprehur vullnetin e lirë
Në Himarë ka përfunduar dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje që prej mbrëmjes së djeshme nga Policia e Shtetit.
Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.
Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.
Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë.
Në Himarë mbahen sot zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e ri të bashkisë së këtij qyteti.
Numri i zgjedhësve që janë ftuar të votojnë sot në Bashkinë Himarë është 23.074.
KQZ ka prodhuar 23.535 fletë votimi për zgjedhjet për kryetar të bashkisë Himarë duke shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 36 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.