Zgjedhjet e pjesshme, Voltana Ademi e gatshme për të rikandiduar
Edhe pse thotë se për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i cilëson si legjitime zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 duhet pritur arsyetimi, Voltana Ademi shprehet e gatshme për të rimarrë pjesë në garën për zgjedhjet e pjesshme që përfshijnë bashkinë e Shkodrës, ku ajo është kryetare që prej 2015.
”Në momentin që flasim unë vazhdoj të jem kryetare e Bashkisë Shkodër dhe e bëj këtë me vullnet pozitiv por dhe me mbështetje popullore. Do ta bëj këtë dhe do të angazhohem për sa kohë këto dy faktorë janë”.
Gjatë një interviste për ”Euronews Albania”, ajo thekson se uronte që rrëzimi i kërkesës së Shoqatës së Bashkive për shpallen të pavlefshme të zgjedhjeve të mos jetë për arsye procedurale. ”Shpreson të ketë qoftë dhe një votë kundër por dhe i arsyetuar për procesin e ashtuquajtur zgjedhor të vitit 2019”.
Për të zgjedhjet lokale të 2019 kanë krijuar një precedent dhe janë konsideruar zgjedhje edhe një proces ku pati në shumicën e rasteve vetëm një kandidat. ”Duke legjitimuar zgjedhjet e 30 qershorit lëmë të hapur mundësinë që zgjedhjet me një kandidat të ndodhin dhe në të ardhmen pavarësisht se të gjitha partitë mund të hyjnë në zgjedhje”.