Zgjedhjet në 2025, Rama mbledh kabinetin dhe krerët e bashkive në Shkodër
Një tjetër mbledhje e qeverisë ”Rama 3”, pas asaj që u mbajt në muajin janar. Zgjedhjet e përgjithshme të 2025 po afrojnë, ndaj dhe PS ka ndezur motorrët.
Kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë në fundjavë për një analizë të thelluar kabinetin qeveritar, por edhe drejtuesit politikë dhe krerët socialistë të bashkive.
Analiza do të shërbejë për të verifikuar të gjitha problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe për një raportim të plotë e të detajuar të punës organizative në Partinë Socialiste.
Kabineti qeveritar, zëvendësministra, drejtues institucionesh, por edhe të deleguarit e qarqeve do të mblidhen në Shkodër, ndërsa pritet që ata të diskutojnë me kryeministrin Rama përmbushjen e detyrave të caktuara nga analiza e shkuar që u mbajt në Shëngjin në janar.