Zgjedhjet në 6 bashki/ Basha, Rama dhe zemërimi i demokratëve

Nga: Redjon Shtylla

Që pas zgjedhjeve lokale të 2019, ndonëse një partiake pasi në garë ishin veç kandidatët e Partisë Socialiste, ende sot janë 6 bashki ka kryetarë ligjitim. Një skenë kjo që nuk duhet të ndodh në një vend demokratik, dhe që aspiron të jetë në familjen e madhe të Bashkimit Europian.

Shkodër, pasi Valdrin Pjetrin e kapi dekriminalizimi
Vorë, pasi Agim Kajmakun e dogji dekriminalizimi
Durrës, sepse Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit
Rrogozhinë, sepse Haxhi Memolla ndërroi jetë
Dibër, sepse Dionis Ymeri dha dorëheqjen të kandidonte për deputet
Lushnjë, sepse Fatos Tushe u shkarkua nga Rama pas arrestimit për korrupsion

Është në dorën e Presidentit që të shpallë një datë për zgjedhjet. Sot në konferencën për shtyp, Ilir Meta tha se ka kërkuar informacion nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve lidhur me bashkitë pa kryetarë, në mënyrë që të bëhet plotësimi i tyre përmes zgjedhjeve. Në letër nënvizohet edhe se vërehet se nuk ka ndonjë vullnet për t’i dhënë zgjidhje situatës.

Nëse nga ana ligjore gjithçka merr formë, atëherë brenda një kohe të shkurtër do të kemi zgjedhje të parakohshme në këto 6 bashki. Kur nuk ka kaluar shumë kohë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku PD-LSI lëshuan lum me akuza për një proces jo të rregullt, nuk dihet sesi do të jetë atmosfera. Kjo pasi së pari situata në selinë blu siç edhe e keni parë, nuk është në ditët më të ndritura, përkundrazi, kaosi dhe përballjet mes palëve të së njëjtës familje kanë mbizotëruar këtë parti. Ajo që do të shihet me lupë, është Lulzim Basha.

Kjo do të jetë gara e parë që Partia Demokratike do të futet e përçarë, ku ndaj kryetarit ka pakënaqësi nga një pjesë e mirë e demokratëve, e së paku 44 mijë anëtarëve që votuan në Referendumin e Sali Berishës, pro shkarkimit të tij. Nuk është shifër e vogël, pasi për pak vota ndahet edhe fitorja në zgjedhje, se kush parti fiton, e jo më të kesh 44 mijë vota minus pa nisur ende gara.

Nuk dihet sesi do të veprojë Basha, nëse nuk ka një lojë me Edi Ramën, që Basha të fitojë më shumë bashki se PS-ja, dhe Lulzim Basha ti tregojë forcën qytetarëve, duke thënë që edhe pse ishte në një situatë ”lufte” me Sali Berishën, unë arrita dhe fitova.

Skenarët janë të shumtë, por përballë Edi Ramës, edhe nëse kanë marrëveshje, si ajo e çadrës, përsëri Basha humbi dhe mund të humbasë. Zemërimi i demokratëve ndaj Lulzim Bashës, nuk vjen vetëm nga ngjarjet e fundit, por më saktë zgënjimi vjen nga humbjet që prej vitit 2013, kur edhe mori vulën e PD-së.

Nuk është kohë për sherre dhe luftë, por për organizim, nëse duan që PD-ja të jetë edhe në politikë si fuqi, e jo të mbesë në histori si tregim.

SHKARKO APP