Zgjedhjet në PD, mbyllet procesi i votimit, Jemin Gjana: Pati fluks
Ka përfunduar orari zyrtar i procesit të votimit për kreun e Partisë Demokratike. Gjatë një prononcimi për mediet, kryetari i Komisionit Zgjedhore në PD, Jemin Gjana tha se deri në orën 17:00 kanë votuar rreth 13 700 e anëtarë të PD-së.
Ai tha se deri në orën 21:00 mund të ketë rezultat për fituesin e zgjedhjeve që do të marrë drejtimin e PD-së.
“Bazuar në të dhënat që kemi grumbulluar deri në orën 17:00, pas orës 17 :00 kishte një fluks në rritje. Me të dhënat e orës 17:00 shifra është, 13 700, me 54% pjesëmarrje. Nuk ka pasur probleme ka qenë ditë e qetë votimesh”, tha Gjana.
Në garë janë ish-kryetari i kësaj force politike, Lulzim Basha dhe përballë tij është Gjergj Hani, një ish-i persekutuar politik.
Pas votimit, Lulzim Basha ka thënë për gazetarët se sot nis ringritja e Partisë Demokratike.
“Kjo ditë ka domethënie të veçantë për nga rrethanat unike. Unike sepse jemi përballur me sfida si askush. Ata mijëra demokratë që sot po u drejtohen kutive të votimit kanë duruar sulme të padenja e të pamerituara. Po ata nuk kanë duruar për interesat e tyre personale, por për kauzat dhe vlerat që bashkojnë këtë familje politike, që bashkojnë shqiptarët”, ka thënë Basha.
Rivali i tij Gjergj Hani i ka ftuar demokratët të marrin pjesë në votime.
PD-ja shkon në këto zgjedhje e përçarë dhe e ndarë në tri pjesë.
Zgjedhjet për kreun e PD-së janë kundërshtuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi dhe shtatë deputetë që e mbështesin atë.
Një ditë më parë një grup deputetësh e çoi këtë çështje në gjykatë, duke depozituar vendimin e Këshillit Kombëtar për anulimin e zgjedhjeve, pezullimin e kryesisë, përfshirë edhe kërkesën për çregjistrimin e Lulzim Bashës, që vijon të jetë kryetar i PD-së, në regjistrin e partive politike.
KOHA JONË SONDAZH

