Zhbëhet reforma, Euralius propozon që edhe Gjykata e Lartë të klonohet si zgjedhja e Markut

Nga: Petrit Vasili

Reforma në Drejtësi për fat të keq është shndëruar në një xhaketë tërësisht me arna dhe ato janë aq të shumta, sa nuk dallohet dot më se si ka qenë xhaketa origjinale. Rrëzimi i të gjitha parashikimeve kushtetuese si dhe afateve gjithashtu kushtetuese në implementimin e Reformës dhe sajimi në vend të tyre i zgjidhjeve antikushtetuese dhe antiligjore, janë alibi për kapjen evidente të drejtësisë nga Edi Rama.

Si një anëtar i komisionit të Reformës në Drejtësi, kujtoj insistimin thuajse maniakal të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë të mbështur fuqimisht, bile deri në tepri, nga Euralius për të futur detaje dhe afate deri edhe në Kushtetutë me shkakun, që askush të mos ketë hapësirë për të interpretuar në mënyrë që të kishim një zbatim rigoroz dhe pa asnjë devijim të ndryshimeve kushtetuese të 21-22 korrikut 2016. Zgjedhja antikushtetuese skandaloze e Arta Markut, e propozuar nga Euralius hodhi ne ere principialitetin e reformes dhe kesisoj edhe themelin ligjor dhe për më keq akoma atë moral. Në vend, që ky të ishte një mësim i madh shumë negativ për të mos u përsëritur kurrë më, përkundrazi u kuptua qartë që ky ishte një hap në rrugën e kapjes së Drejtësisë nga Rilindja.

Euralius duke u vendosur në rolin e protagonistit dhe propozuesit të zgjidhjeve antikushtetuese, tanimë edhe për Gjykatën e Lartë mori rolin e bashkë përgjegjësit në kapjen e Reformës nga Rilindja. Dhënia edhe për Gjykatën e Lartë të një zgjidhje analoge me atë të Arta Markut, është një provë e re e një abuzimi skandaloz, që dhunon Kushtetutën në vend të zbatimit shembullor të saj. Sebepi spekullativ i emergjencës e bën këtë Reformë në Drejtësi njëlloj si Reformën e Plepave dje. Ndryshimet kushtetuese 100% konsensuale të 21-22 korrikut, po zhbehen thuajse totalisht dhe kapja e reformës e ka zaptuar Reformën. Megjithatë, lexoni vetë çfarë rekomandimi ka propozuar EURALIUS 5 për Gjykatën e Lartë:

“Me qëllim që të kalohet kjo periudhë tranzitore, ndërkohë që procesi i ngritjes në detyrë dhe i emërimit në Gjykatën e Lartë nuk ka përfunduar ende, KLGJ-ja mund të konsiderojë të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Përveç kësaj, nëse në skemën e delegimit nuk ka magjistratë të përshtatshëm që plotësojnë kushtet për në Gjykatën e Lartë, atëherë referimi tek Neni 46 i Ligjit për Statusin do të ishte i argumentuar dhe i mundshëm, duke transferuar për një afat të përkohshëm, dhe me pëlqimin e tyre në Gjykatën e Lartë, gjyqtarë me performancë shumë të mirë profesionale”. Pra esenca e propozimit është: hajde delegojmë gjyqtarë për Gjykatën e Lartë, duke shkelur kushtetutën dhe ligjin por duke i shërbyer kapjes rilindase të Drejtësisë.

SHKARKO APP