Zogaj: Lega Nord, Mateo Salvini shfrytëzoi fjalët e Ramës për dalje nga BE

Nga Preç Zogaj

Mjekët tanë në Itali, një gjest shumë i bukur, por kryeministri mund të evitonte pasin për kundërshtarët e Bashkimit Europian.
Dërgimi i një ekipi mjekësh e infermierësh shqiptarë në Itali është një gjest shumë i bukur ndaj një vendi shumë të dashur për ne.
U preka shumë kur i pashë, me emocionoi ajo pjesë e fjalës se kryeministrit Rama që kishte të bënte me kujtesën.
Nuk e harrojmë kurrë bujarinë e Italisë dhe italianëve ne vitet e eksodeve masive nga Shqipëria. As të Greqisë dhe grekëve. Fqinjësia me këto vende-djepe të dy kulturave dhe civilizimeve të mëdha është një aset dhe një adresë fatlume për ne.
Me dorë në zemër dhe me heshtjen që nuk gjen fjalë për të nderuar disa vepra të rralla fisnikerie e respekti, kemi shprehur mirënjohjen tonë për këtë Itali të çuditshme që shpenzon e shpenzon prej shumë e shumë kohësh për gjuhën dhe kulturën e komunitetit arbëresh; që u ka krijuar kushtet dhe mundësitë mijëra shqiptarëve të jetojnë me dinjitet, të ecin përpara, të shquhen, të promovohen pa paragjykime rraciale si mjekë, si biologë, si artistë, si sportistë e tjerë e tjerë në elitën italiane.
Lista e miradive nga Apeninet është e gjatë dhe fundja çfarë kemi mundur të bëjmë ne më shumë se sa ta duam me shpirt Italinë, të mësojmë gjuhën e saj të cilën e flasim masivisht si një lloj dialekti shqiptar të italishtes, të jemi në shumicë tifozë të kombëtares së kalter, ta kemi në vendin e parë të shkëmbimve tregtare, të duam dhe të respektojmë si njerëz të shtëpisë italianët që jetojnë, punojnë, studiojnë në Shqipëri. Mund t’u kishim krijuar më shumë akses në sektorët strategjikë dhe më shumë lehtësira konkrete për të investuar, por edhe me kaq sa kemi bërë mirë jemi, në fund të fundit këto çështje i zgjidhin tregjet, konkurrenca.
Më tej, u mbetet bashkatdhetarëve tanë në Itali, komunitet i madh prej gjysmë milioni, të kthejnë sa të munden, me punë dhe qytetari, borxhin e madh që ndjejmë të gjjthë për Italinë.
Ky gjesti me 30 mjekë ngriti nga vendi një histori dhe zbuloi precipitime të reja në marrëdhëniet mes dy vendeve që kishin nevojë të emërtoheshin.
I lumtë atij që e mendoi, nderin për tridhjetë mjekët, që u bashkohen dhjetëra e qindra mjekëve e infermierëve shqiptaro-italianë ne frontin italian të luftës kundër koronavirusit.
Do kisha preferuar më pak mbulim politik, siç pashë se bëri Kina me ekipin e mjekëve që dërgoi në Itali. Rama e ka natyrë trajtimin si operacione imazhi të ngjarjeve dhe gjetjeve të veta. Le ta ketë. Vetëm mirë kemi kur falë tyre na përmendin, na konsiderojnë, na lavdërojnë. Nuk kemi shumë mjete për të hyre herëpashere në xhiron botërore të lajmeve të mira. Fundja, mjaft që u ndienë krenarë para miqve dhe fqinjëve të tyre italianë emigrantët tanë në Itali.
Rama ka studiuar për pikturë. Ai ka lexuar ose dëgjuar për shprehjen e famshme të Mikelanxhos që thoshte me nënqeshjen e të zotit të punës se vepra e artit është një gjë e thjeshtë. “Hiq pjesët e tepërta nga blloku i mermerit”.
Ky është parimi i sensit të masës prej nga del harmonia.
E thjeshtë për mjeshtrat, për askënd tjetër.
Në jetë veprojnë ligjet e korrelacionit. Çfarë është e vërtetë për artin, është edhe për politikën.
Morali i fabulës në lidhje me gjetjet e bukura të Ramës, përfshirë ngjarjen e mjekëve, është ky: Rama rrëmbehet nga gjetja dhe qëllon ta kalojë masën. Në fjalimin para mjekëve nuk u mjaftua me frazat e bukura për kujtesën dhe solidaritetin, por i lejoi vetes të fliste për vende që i kanë kthyer shpinën Italisë, duke prekur nervin e zbuluar të debateve që po zhvillohen së fundi atje midis populistëve anti BE në opozitë dhe europianistëve në qeveri të kapur në befasi nga virulenca e koronavirusit.
Po ç’punë ka kryeministri i Shqipërisë së vogël te futet në temen e marrëdhënieve mes shteteve anëtare të BE?
Dikush ose shumëkush është duke nënqeshur me ironi.
Pastaj ku e dimë ne kush po ia kthen shpinën Italisë? Vendet janë të gjjtha, kush më shumë e kush më pak në luftë, por BE është në këmbë dhe përgjigja solidare për përballimin e kostove të krizës sot dhe rimëkëmbjen e ekonomike nesër është pjesë e planeve të saj- e bëjnë të qartë çdo ditë figurat më eminente të Unionit dhe shteteve.
Është gjëja më e gabuar që ndërsa bëjmë nje gjest solidariteti me tridhjetë mjekë ndaj Italisë, të provokojmë me sentenca që nuk janë në fakultetet e një vendi të vogël jo anëtar në vendet e familjes europiane. Aq më shumë kur sapo kemi marrë hapjen e negociatave. Ne e duam shumë Italinë, përjetojmë duke mbajtur frymën çdo pasdite në orën 18 bilancin e saj të jetëve të shuara, gëzohemi me rënien e numrit të të infektuarve. Por nuk ka dyshim se vendet me të cilët ajo ndan mijëra vite histori dhe qytetërim, sikurse ndan themelimin dhe rrjtjen e BE-së, janë në një lidhje të fortë jete dhe solidariteti me njëra-tjetren. Italia nuk mund braktiset. Ajo është vetë Europa.
Shprehjet e pavend vetëm u hapin gojën politikanëve në kërkim të alibive për të avancuar axhenden e tyre antieuropane, siç u pa qartë në deklaratat e kryetarit të Lega Nord, Mateo Salvini, që duke u ekzalktuar nga fjalët e Ramës, kërkoi nisjen menjëherë pas kapërcimit të pandemisë të procedurave për daljen e Italisë nga Europa!!!

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?