Zv/kryeministrja Balluku apel diasporës: Ktheni sytë nga Shqipëria, është një moment i artë
Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ftoi sot ekselentë nga diaspora t’i bashkohen projekteve të qeverisë në inovacion, teknologji dhe digjitalizim. Në kuadër të edicionit të tretë të Samitit të Diasporës, në ambientet e Pallatit të Kongreseve u mbajt sot paneli “Politika e Jashtme dhe Diaspora” mbi regjistrimin e bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë.
“Kapitali njerëzor nuk është vetëm në Shqipëri i vlefshëm për ne, por është i shpërndarë në të gjithë botën. Edhe pse jemi komb i vogël, gjenetikisht kemi diçka ndryshe pasi jemi pak por kemi nxjerrë shumë shkencëtarë, artistë e sportistë të njohur. Ne duam që përmes këtyre programeve të përthithim kapitalin njerëzor nga diaspora”, tha ajo.
Balluku theksoi se qeveria shqiptare ka pasur në vëmendje inovacionin, teknologjinë, ekselencën dhe digjitalizimin. “Sot Shqipëria krenohet me të gjitha hapat që ka hedhur në këto fusha, ku spikat digjitalizimi. I nisur në vitin 2019 dhe i konsideruar fillimisht si politikë agresive, tashmë 99% e shërbimeve ofrohen online, duke zvogëluar burokracinë dhe duke ulur korrupsionin”, tha Balluku.
Përkrah digjitalizimit, ajo theksoi se është zhvilluar edhe Agjencia e Mbrojtjes Kibernetike, me një skuadër shumë të përgatitur. Po ashtu, Balluku theksoi se inovacioni mbetet prioritet, pasi është dinamizëm që vjen nga rritja ekonomike. Ndaj sipas zv/kryeministres, është ngritur edhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, një agjenci e re me nukla që do t’i përgjigjen nevojave të secilit sektor.
“Dua t’i bëj thirrje diasporës që t’i kthejë sytë nga vendi. Dy-tre vitet e fundit kemi shumë raste shqiptarësh që kanë vendosur të kthehen në atdhe. Në Shqipëri ndoshta pagat nuk janë të larta sa diku tjetër, por jeta është e mirë. Ktheni sytë nga Shqipëria. Secili prej jush mund të kthehet në kryeqytetin më vibrant të Ballkanit, mund të vijë në administratë ku infermierët, mjekët, zjarrfikësit, duke filluar nga prilli 2024 do të marrin rrogë mesatare 900 euro. Kemi konkurrencë të hapur edhe me sektorin e inovacionit e teknologjisë dhe sistemin bankar. Nuk ka promocion më të mirë për Shqipërinë se sa të përmendësh emra të njerëzve të suksesshëm që janë bij të këtij vendi. Ktheni sytë nga Shqipëria se është një momentum i artë, është një dritare e hapur, që shpresoj të bëhet derë”, tha ajo.