Zv/kryeministrja Balluku: Janë 22 akse të reja rrugore të ndërtuara në 5 vitet e fundit
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se në 5 vitet e fundit ne kemi ndërtuar 22 akse të reja rrugore. Gjatë fjalës në Kuvend, Balluku tha se është bërë një kategorizim i problematikave për sa i përket sigurisë rrugore të secilës urë.
“Duke pasur parasysh që të gjitha parametrat rrugore në Republikën e Shqipërisë tashmë i përgjigjen me shumë rigorozitet kushteve të parametrave të sigurisë rrugore të BE, vendosëm atëherë që të nisnim nga puna për të gjetur financimin, i cili do të duhej për rikonstruksionin dhe menaxhimin e këtyre urave”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja nënvizoi se duhet të kemi parasysh se mbi 70 % e urave në territorin tonë është e ndërtuar para viteve ’60. “Kështu që morëm masat tona, bëmë pasaportat, nisëm një vrull projektimi sipas prioriteteve, kush ishin më të amortizuara dhe na shtohet edhe tërmeti i vitit 2019, i cili me gjithë morinë e pasojave shkatërruese që solli dëmtoi edhe një pjesë të mirë të urave”, tha Balluku.
Nga ana tjetër, Balluku nënvizoi se në bashkëpunim me Bankën Botërore është krijuar lista prioritare e urave. Ajo tha edhe se vetëm në 5 vitet e fundit ne kemi ndërtuar 22 akse të reja rrugore. ”Kemi 12 akse ekzistuese të rehabilituara plotësisht. Ndërkohë jemi sot në 18 kantiere ku punohet në mënyrë intensive. Dhe nga ana tjetër kemi 7 projekte të reja të gatshme, të cilat besojmë se do të jenë pjesë e tavaneve buxhetore të vitit 2024-2026”.