Zv/kryeministrja Balluku në Cërrik: Shkolla e mesme bujqësore, do të kthehet në një qendër rajonale

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, inspektuan shkollën e mesme Bujqësore në Cërrik, ku së shpejti do të nisë edhe rikonstruksioni i konvikteve, për të kthyer këtë shkollë në një qendër rajonale. Balluku theksoi se do të ketë një fokus të përqendruar te arsimi profesional, pasi në treg është gjithmonë shumë vështirë të gjenden profesionistë të tillë dhe padyshim një rëndësi e veçantë do t’i jepet bujqësisë.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave do të ketë një fokus të përqendruar te arsimi profesional dhe sigurisht të gjitha shkollat profesionale janë të rëndësishme, ato që prodhojnë hidraulikët, elektricistët, sepse gjejmë gjithmonë e më pak në treg. Por nga ana tjetër, bujqësia qëndron në krye të listës. Ju do të keni mbështetjen tonë maksimale për sa i përket laboratorëve”, tha zv/kryeministrja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi se duke qenë se shkolla e mesme bujqësore në Cërrik do të kthehet në një qendër rajonale, ministria do të bëjë të gjitha alokimet e duhura të fondeve për t’u siguruar edhe bazën material për studim. Konvikti i ri që do të ndërtohet parashikohet të akomodojë deri në 200 studentë dhe pritet të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.

SHKARKO APP