Zv/kryeministrja Balluku në Ministerialin e COP 28 në Dubai: Eficienca energjetike në krye të listës së çdo projekti

Zv/kryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është e pranishme në Ministerialin e COP 28, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në një prononcim për mediet, Balluku u shpreh se 123 vende kanë firmuar një deklaratë të përbashkët, me angazhime të mirëfillta për çdo qeveri.

“Sot ka qenë një tjetër ditë e rëndësishme në COP 28 që zhvillohet në Dubai. Një javë totalisht e fokusuar tek ndryshimet klimaterike dhe të gjithë aksionet që duhen ndërmarrë globalisht për të shpëtuar planetin tokë. Ka pasur takime të liderëve, të mbarë botës, por është vazhduar edhe me takime të tjera në nivelin Ministerial, siç ishte dita e sotme, ku 123 vende kanë firmuar një deklaratë të përbashkët, me angazhime të mirëfillta për çdo qeveri”, tha Balluku.

Nga ana tjetër, zv/kryeministrja tha se gjatë Ministerialit të zhvilluar në kuadër të COP 28, sot në emër të qeverisë shqiptare dhe në emër të kryeministrit Rama, ka arritur që të paraqes të gjitha arritjet në fushën energjetike për sa i përket diversifikimit të burimeve të rinovueshme.

”Të gjitha projektet e reja, të cilat do të kontribuojnë në ato targete që unë përmenda, por edhe në politikat që qeveria shqiptare do të ndërmarrë në të ardhmen dhe sidomos të gjithë incentivat dhe i gjithë motivimi që ne kemi dhënë për eficiencën e energjisë duke qenë të bindur se është çelësi i suksesit për të arritur të gjitha targetet e mundshme”, përfundoi zv/kryeministrja Balluku.

SHKARKO APP