Zv/kryeministrja Balluku: Nënstacioni i ri elektrik i Kuçovës i shërben edhe bazës ajrore të NATO-s

Nënstacioni elektrik i Kuçovës po i nënshtrohet një rikonstruksioni të thellë. Ndërtuar në vitin 1956 dhe me pajisje të po të njëjtës periudhë, të cilat ndikojnë direkt në cilësinë e shërbimit ndaj abonentëve, investimi i nisur parashikon jo vetëm rikonstruksionin e plotë, por edhe rritjen e kapaciteteve. Janë realizuar deri më tani 65% e punimeve, ndërsa nënstacioni i ri do t’i shërbejë më shumë se 15 mijë banorëve të zonës, si dhe do të ketë fidera të dedikuar edhe për bazën ushtarake të aviacionit si dhe puset e naftës. Zv/kryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e OSSH, Blendian Dalipaj ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.
“Pas fuqizimit nënstacioni do të kalojë nga 40 mega fuqi të instaluar që ka sot në afro 100 mega, pra 2.5 herë më shumë kapacitete për të furnizuar zonën dhe i shtohet dhe një nivel i ri tensioni që është niveli 20 kilovolt. Kemi dy linja 35 kilovoltshe. Ndërkohë nga vetë nënstacioni kemi gati 17 fidera që furnizojnë gjithë Kuçovën me fshatrat përreth. Janë dhe dy linjat e tjera 110 kilovolt që janë linja totalisht të reja që vijnë nga Cërriku dhe nga Jagodina. Pra ky nënstacion, përveçse është një nënstacion që furnizon rajonin është edhe një garanci për furnizim të sigurtë të sistemit 110 kilovolt në tërësi”, tha Dalipaj.
Edhe ky investim, jo vetëm që adreson kërkesat dhe flukset e sotme, por i përgjigjet edhe zhvillimeve të pritshme përmes zgjerimit të kapaciteteve. Gjithashtu, në këtë projekt është parashikuar që pajisjet e deritanishme të nënstacionit ti shtohen listës së objekteve të muzeut të energjisë, duke shërbyer si hapësira për tu vizituar kryesisht nga studentët dhe nxënësit.
“Ndërkohë që garantojmë operimet e aeroportit të Kuçovës nga ky nënstacion përfitojnë mbi 15 mijë abonentë të të gjithë zonës. Do të ofrojmë jo vetëm shërbim më të mirë, por nga ana tjetër këtu arrijmë edhe një nga synimet që ne kemi që ka të bëjë me uljen e humbjeve. Kur ne flasim për uljen e humbjeve, gjithmonë është e pakuptueshme ndoshta për qytetarët, por tashmë ka ardhur rasti që ta shpjegojmë këtë pse përfitojnë qytetarët nga uljet e humbjeve. Sigurisht përmirësohet cilësia e shërbimit, por nga ana tjetër vetëm 1% e uljes së humbjeve korrespondojnë në një kursim prej 8 milionë eurosh”, bëri të ditur Balluku.
Përmirësimi i performancës mbetet një ndër objektivat kryesore të investimeve të cilat i përgjigjen zhvillimit të zonës apo projekteve që kanë ndikim në ekonominë e vendit. “Synimi ynë kryesor është patjetër që ne të ofrojmë shërbim më cilësor, patjetër që të mos kemi ndërprerje, patjetër në zona të cilat po zhvillohen, siç është rasti i Kuçovës këtu ku jemi ku është ndërtuar një aeroport ushtarak apo në rastin kur jemi afër zonës së Akërnisë në Vlorë, edhe atje kemi një nënstacion të ri që janë nënstacione që mbështesin zhvillimin ekonomik të vendit, zhvillimin e transportit në fusha të ndryshme, si atë hekurudhor nesër, apo të aeroporteve, aviacionit sot, nga ana tjetër ajo që përfitojmë me këto nënstacione të reja është padyshim ulja e humbjeve, të cilat korrespondojnë në kursim të parave dhe si rrjedhojë ulje të çmimit për qytetarët”, tha Balluku. Punimet për nënstacionin elektrik të Kuçovës pritet të përfundojnë në verën e këtij viti.