Zv/kryeministrja Balluku: Strategjia e Specializimit Inteligjent, udhërrëfyes për reformat dhe investimet e së ardhmes

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se Strategjia e Specializimit Inteligjent (S3) do jetë prioritet i qeverisë, instrument i rëndësishëm për drejtimin e investimeve në të ardhmen në fushat prioritare, në zhvillimin e bazuar në dije e inovacion duke mbështetur rrugëtimin drejt BE-së.

Në takimin Strategjitë e Specializimit Inteligjent (S3), Balluku tha se kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për të gjitha programet, strategjitë dhe reformat që do të bëhen në të ardhmen. Sipas Ballukut, S3 është gjithëpërfshirës dhe përfitojnë të katër komponentët, anëtarët e administratës, qeverisë, përfaqësuesit e bizneseve, por edhe shoqëria civile.

“Nuk ka asgjë më frytdhënëse se një tryezë konsultimi, dialogu ku të gjithë aktorët, qeveria, biznesi, akademikët dhe shoqëria civile kanë të njëjtin zë, flasin me të njëjtën gjuhë dhe arrijnë të dëgjojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Balluku. Për të Shqipëria ka përmbyllur një nga fazat më të rëndësishme në lidhje me hartimin e strategjisë, që është konsultimi me të gjithë aktorët e ulur në tryezë.

“Qëllimi ka qenë identifikimi i sektorëve prioritarë ku investimi dhe inovacioni, sidomos teknologjia do të përbëjnë një vlerë të shtuar për ekonominë e vendit. Gjithçka ka dalë nga tryeza e konsultimit përputhet me politikën, strategjinë dhe prioritetet e qeverisë, bazuar edhe në Programin 2030”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, bazuar edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare ku bëhet e qartë që vendi është në një nga momentet më të mira, e më të konsoliduara ekonomike, ajo që duhet janë profesionistët e kualifikuar që kontribuojnë në zhvillimin e vendit, që sjellin inovacion, që tërheqin pjesën tjetër të administratës dhe biznesit dhe të gjithë kontributorët e zhvillimit ekonomik shqiptar.

“Iniciativa të përbashkëta rajonale do të adresonin jo vetëm këto sfida, të cilat i kemi identifikuar përmes konsultimeve si parakusht i zhvillimit inteligjent të vendeve tona, por edhe në sërë objektivash të tjerë strategjik në fushën e energjisë, bujqësisë, turizmit, industrisë përpunuese, ICT dhe në fusha të tjera të inovacionit që ne kemi filluar të identifikojmë”, deklaroi ajo.

SHKARKO APP