Zv/kryeministrja Belinda Balluku: Zero tolerancë për këdo që abuzon me detyrën
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një takim që zhvilloi me punonjësit e ujësjellës kanalizimeve Vlorë, tha se do të ketë zero tolerancë për këdo që abuzon me detyrën.
“Në Vlorë qeveria shqiptare ka investuar më shumë se kudo dhe unë me shumë dëshirë vij këtu për të parë ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës, përfundimin e punimeve në tunelin e Llogorasë, apo të gjitha punët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektin e Lungomares e shumë të tjera, si investimet në Triportin dhe Portin e Vlorës”, tha Balluku, teksa theksoi se nuk ka asnjë herë dëshirë të vijë në Vlorë për të tërhequr vëmendjen apo për të zbuluar skema koruptive që shkojnë në kurriz të qytetarëve.
Ajo paralajmëroi se dosja e shkeljeve në këtë ndërmarrje është përgatitur me të gjitha detajet, teksa shtoi se do ta dërgojë personalisht atë në SPAK. ”Kjo është detyra ime personale dhe e stafit të Ministrisë dhe do t’i shkohet deri në fund. Do çoj dosjet në SPAK.
Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Kemi çdo gjë gati për çdo detaj abuzimi dhe për çdo person. Dosjet janë gati”. Balluku shtoi se të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë zhvatëse i kanë hyrë detit në këmbë.