Zv.ministri i Brendshëm: Sot priten akte dhune. Do përgjigjemi me forcën e ligjit
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, deklaroi sot pak minuta para nisjes së protestës së opozitës, së Policia do të reagojë ashpër nëse ka shkelje të ligjit. “Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit”,- tha Lamanllari.
Deklarata e plotë e Zv.ministrit të Brendshëm:
Përshëndetje,
Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit.
Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës.
Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt.
Megjithatë Policia e Shtetit u tregua profesionale, ashtu si në manifestimet e kaluara, dhe nuk arriti për asnjë moment limitet e reagimit të ligjshëm.
Përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Ai është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik, në përballjet me turmat e dhunshme. Përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi Policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj, nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti. Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës.
Dënojmë me ashpërsi aktin e organizatorëve të tubimit të dhunshëm, për devijimin e tij nga Bulevardi drejt zonave të populluara, duke afektuar kështu dhe qytetarë që nuk kishin lidhje me tubimin.
Sipas deklaratave mediatike rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot.
Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm.
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim Prokurorinë dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e ideimit, organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale. Të gjithë autorët, pa dallim, do të përballen me Forcën e Ligjit.