Zyrtari i NATO-s: Trump mbështet Aleancën, Rusia mbetet kërcënim për Ballkanin

Në një intervistë për gazetën ”Shekulli”, përfaqësuesi i zyrës së shtypit të NATO-s, Simone De Manso, i cili përfaqëson zyrën e shtypit të Pierse Cazalet, kryetari dhe drejtuesi i marrëdhënieve me publikun për Aleancën e Atlantikut të Veriut, thotë se: ”Trump mbështet Aleancën, ne jemi më të fortë se kurrë”. Nga ana tjetër, ai pranon se Rusia mbetet kërcënim për Ballkanin.

Duke u bazuar tek intervista e Presidentit Amerikan për median amerikane, “FOX NEWS”, si e shikoni situatën aktuale në Ballkan?

Klauzola jonë e mbrojtjes kolektive, Neni 5, është e pakushtëzuar dhe e veshur me hekur. Do të thotë se një sulm ndaj një vendi anëtar është një sulm ndaj të gjithëve. Presidenti Trump e ka bërë të qartë, se SHBA-ja është plotësisht e angazhuar për NATO-n dhe Aleanca jonë është më e fortë se kurrë.

NATO garanton sigurinë e territorit tonë dhe të popullsisë, lirinë tonë dhe vlerat që ndajmë duke përfshirë demokracinë, lirinë individuale, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Aleanca jonë mishëron lidhjen e qëndrueshme dhe të pathyeshme transatlantike midis Europës dhe Amerikës së Veriut, për të qëndruar së bashku kundër kërcënimeve dhe sfidave nga çdo drejtim. Kjo përfshin angazhimin themelor për mbrojtjen kolektive të përcaktuar në nenin 5, të Traktatit të Washingtonit. NATO do të vazhdojë të përpiqet për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë zonën euroatlantike, në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. NATO është një Aleancë mbrojtëse.

Përgjegjësia më e madhe e NATO-s është të mbrojë territorin dhe popullatën tonë, kundër sulmit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku dhe të veprojmë së bashku, në bazë të solidaritetit, qëllimit të përbashkët dhe ndarjes së barabartë të barrës.

A përbën Rusia një kërcënim për Ballkanin Perëndimor dhe në cilat fusha në veçanti?

Ne përballemi me një mjedis sigurie të rrezikshëm, të paparashikueshëm, me sfida dhe kërcënime nga të gjitha drejtimet strategjike; nga aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë; nga forcat ushtarake, nga sulmet terroriste, kibernetike dhe sulmet hibride. Veprimet agresive të Rusisë, duke përfshirë kërcënimin dhe përdorimin e forcës për arritjen e qëllimeve politike, sfidojnë Aleancën dhe po dëmtojnë sigurinë euroatlantike dhe rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla. Paqëndrueshmëria dhe kriza e vazhdueshme në të gjithë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut po nxisin terrorizmin. Ata gjithashtu kontribuojnë në migracionin e parregullt dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Kriza e vazhdueshme në Siri ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e Aleancës në tërësi.

Ne përballemi me sfida hibride, duke përfshirë fushatat e dezinformimit dhe aktivitetet e dëmshme kibernetike. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe teknologjia e avancuar e raketave vazhdon të kërcënojë sigurinë e kombeve tona. Në dritën e gjithë kësaj, uniteti dhe solidariteti ynë janë më të fortë se kurrë, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar mbrojtjen tonë kolektive. Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike, siç tregohet nga historia jonë e gjatë e bashkëpunimit dhe operacioneve në rajon.

Ne mbetemi të angazhuar plotësisht për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, si dhe për të mbështetur aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me Ballkanin Perëndimor, për të ruajtur dhe promovuar paqen, sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Vlerat demokratike, sundimin e ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, janë jetike për bashkëpunimin rajonal dhe për procesin e integrimit euroatlantik dhe ne mirëpresim përparimin në këtë drejtim. Ne gjithashtu mirëpresim përparimin e kohëve të fundit të demarkacionit të kufijve në rajon.

Bazuar në të dhënat tuaja, angazhimi prej 2 për qind, mund të jetë e përballueshme nga disa vende të vogla, apo ato mund të kontribuojnë në mënyrë të ndryshme për aleancën e NATO-s?

Ka dy arsye, por sidomos ata aleatë që shpenzojnë më pak se 2%, për të investuar më shumë. Njëra është, se ne jetojmë në një botë më të paparashikueshme dhe më të rrezikshme, e cila kërkon që të investojmë më shumë për sigurinë tonë. Por arsyeja tjetër është sigurisht, që çdo fond shtesë ose investime nga ato vende që shpenzojnë më pak se 2%, do të ndihmojnë në përmirësimin e ndarjes së barrës. Pra, kjo është një lloj arsye e dyfishtë për të investuar më shumë. Ai rrit aftësitë tona për t’iu përgjigjur një ambienti më të kërkuar sigurie dhe ndihmon në përmirësimin e ndarjes së barrës brenda aleancës. Të gjithë aleatët kanë filluar të rritin sasinë që shpenzojnë për mbrojtjen në terma realë dhe rreth dy të tretat e aleatëve kanë plane kombëtare për të shpenzuar 2% të Produktit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, deri në vitin 2024.

Më shumë se gjysma e aleatëve shpenzojnë më shumë se 20% të shpenzimeve të tyre të mbrojtjes në pajisjet kryesore, duke përfshirë hulumtimet dhe zhvillimin e tyre, dhe sipas planeve të tyre kombëtare, 24 aleatë do të përmbushin udhëzimet e 2%, deri në vitin 2024. Aleatët po japin më shumë aftësi, po përmirësojnë gatishmërinë, vendosjen, qëndrueshmërinë dhe ndërveprimin e forcave të tyre.

Numri i aktiviteteve në të cilat ne jemi të angazhuar është rritur dhe aleatët vazhdojnë të japin kontribute të vlefshme force dhe aftësi që përfitojnë nga siguria e zonës Euro-Atlantike, nëpërmjet operacioneve, misioneve dhe aktiviteteve të tjera të NATO-s, si dhe përmes operacioneve dhe misioneve të kryera nën autoritetin kombëtar dhe autoritetin e organizatave të tjera. Ndërsa shqyrtojmë planet kombëtare që ekzistojnë sot, vlerësojmë përparimin e paprecedent dhe pranojmë se ende mbetet shumë punë. Ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar balancën e ndarjes së kostove dhe përgjegjësive të anëtarësimit në Aleancë

Si e shikoni të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në vitet e ardhshme?

NATO do të vazhdojë të punojë me Ballkanin Perëndimor, sepse ne kemi një histori atje, ne kemi një prani atje, me praninë tonë në Beograd, Sarajevë dhe natyrisht KFOR-in. Ne kemi shumë anëtarë atje dhe ne gjithashtu kemi disa partnerë atje. Serbia është një partner i afërt dhe shumë i vlefshëm i NATO-s. E vlerësoj shumë që kemi arritur të rritim bashkëpunimin tonë me Serbinë. Fakti që ne presim që aleatët e NATO-s do të ftojnë Shkupin për të filluar bisedimet e pranimit, nuk do të ndryshojnë marrëdhëniet tona me Serbinë.

Serbia do të presë stërvitjen e NATO-s për gatishmërinë civile këtë vit në tetor dhe kjo, tregon se NATO, respekton tërësisht vendimin e Serbisë që të mos kërkojë anëtarësimin në NATO. Kjo është absolutisht mirë për ne, por e vlerësojmë shumë që Serbia vazhdon të punojë me NATO-n, si një partner dhe ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin me Serbinë. Prania e NATO-s në Kosovë, kryesisht përmes Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR), kontribuon në një mjedis të sigurt, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Kosovës dhe Bashkimin Europian. Ajo gjithashtu kontribuon në një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Çdo ndryshim në vendosjen e forcës së NATO-s do të mbetet në bazë të kushteve dhe jo kalendarike. Ne do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë, përmes ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s, brenda mandatit aktual.

Zbatimi i ndërveprimit të zgjeruar me Kosovën po përparon mirë në aspektin e dialogut dhe bashkëpunimit praktik. Ne mirëpresim aspiratat e Kosovës për të përmirësuar aftësinë e saj për të siguruar siguri për të gjithë banorët e saj, si dhe për të kontribuar në sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Burimi: Shekulli

SHKARKO APP