Presidenti Amerikan Biden bllokon pasuritë dhe hyrjen në SHBA për disa individë që cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Një urdhër ekzekutiv i Presidentit Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshin tashmë edhe Shqipërinë dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.
“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.
Ky Urdhër Ekzekutiv i cili është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për herë të pare përfshin Shqipërinë, i cili është shteti i vetëm që përmendet me emër.
Sipas urdhrit, veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive të ndryshme dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, pengojnë përparimin drejt qeverisjes demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.
Për këtë arsye, vazhdon urdhri ato “përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. tanë.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.
Shtëpia e Bardhë thotë se Departamenti i Thesarit, në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë të përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.
“Garantimi i sigurisë dhe stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thotë Shtëpia e Bardhë.
Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George W. Bush, pas luftrave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.
Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga Presidentët amerikanë.