Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Gllogjan: Vlerësojmë lartë sakrificën e dëshmorëve për liri
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj të dielën ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
Komuna e Deçanit ka nderuar presidentin Begaj me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”.
“Është kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjt për të vazhduar festimet tona për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët. Prandaj, duhet ta mbrojmë me çdo kusht”, theksoi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke iu uruar mirëseardhje presidentit Begaj, ka theksuar se në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan qëndrojnë heronj të zot, të cilat kontribuuan për çlirimin e vendit.
“Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, Shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën. Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zot, shqiptarë të zot, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/