Projekt i ri për Thethin, Rama: Heqim çdo taksë për agroturizmat

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Kreu i FSHZH-së, Dritan Agolli dhe kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci prezantuan sot projektin e ri për Thethin.

Rama është shprehur se pas rrugës së re dhe kthimit në identitet të çative pasuri kulturore, kanë ndërmarrë një tjetër nismë nëpërmjet një programi të ri mbështetjeje për zhvillimin e pronave të të parëve në malet e magjishme të Shqipërisë.

Sipas tij ky projekt do ta lehtësojë vendimin e shumë emigrantëve të këtyre zonave, nga veriu në jug, që të kthehen e me kursimet e tyre të bëjnë më shumë ekonomi se sa në emigracion.

Rama premtoi heqjen e taksave dhe TVSH 6 %, për të gjithë ata që do të kthejnë shtëpitë e tyre dhe të të parëve të tyre në bujtina.

“Disa kanë marrë kredi me interes edhe 10 %. Atëherë duhet të ndërhyjë shteti. Kjo do të shkojë në harmoni me atë që do të bëhet këtu. Ne, si shtet, nuk duam lekë nga ju. Në zona malore, duke nisur nga ky park kombëtar duhet të vendosim një sistem edhe më të lehtë taksimi. Sot tipikisht do të paguani TVSH 20 % psh në restorante, etj, nëse certifikoheni si agroturizëm duke pasur tanimë edhe titullin e pronës, i bie të paguani TVSH 6 %. Ndërkohë që tatimfitimin përsa kohë jeni biznes i vogël,  e keni zero. Ne do të bëjmë diçka më shumë se kaq, duam të heqim çdo taksë, për leje ndërtimi, për çdo gjë për ju. Do të heqim çdo burokraci në të gjitha zonat me këto potenciale, pasi njerëzit do të kthehen gjithnjë e më shumë“, u shpreh kryeministri Rama.

Njëkohësisht Rama premtoi edhe subvencion nga qeveria për vendosjen e paneleve diellore.

“Shteti do të mundësojë edhe lehtësira për panelet diellore. Kush ka një bujtinë me leje dhe do të aplikojë për panele do të mund të ketë mbështetje ekstra. Është një investim që shkon shtrenjtë“, tha ai.

ATSH

SHKARKO APP