Protesta e 11 korrikut, Berisha thirrje mjekëve dhe infermierëve

Kreu demokrat Sali Berisha i ka drejtuar një thirrje mjekëve dhe infermierëve që ti bashkohen protestës së 11 korrikut që do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.

Në fjalimin që mban çdo pasdite drejtuar mbështetësve që protestojnë prej 6 muajsh në rrugicën pranë apartamentit ku Berisha ndodhet në “arrest shtëpie”, ish-Kryeministri u bëri thirrje bluzëbardhëve të respektojnë çdo normë të kodit etik dhe moral të bluzëbardhit.

“Të bëjnë gjithçka, siç e bëjnë në tërësi, duke iu përmbajtur betimit të tyre për të lehtësuar të sëmurët, për të shëruar të sëmurët.

Por u bëj thirrje, mos u përkulni në atë mënyrë. Përkulja juaj u akuzon, përkulja juaj nuk u nderon.

Nuk do e harroj kurrë një skenë te Spitali Infektiv, kur me bluza dolën dhe duartrokitën mizorin që fshehte vdekjet, që vidhte paratë e të sëmurëve që vdisnin me tendera sekrete.

Në një kohë kur kolegët tuaj në Belgjikë, i kthenin prapanicën homologut të tij.

Mos harroni, keni detyrë të mbroni të sëmurin me çdo mjet, me çdo mënyrë dhe jo t’u nënshtroheni injorantëve, t’u nënshtroheni hajdutëve, t’u nënshtroheni kazmëvënësve të sistemit shëndetësor se kjo nuk u nderon.

Dhe për ta përfunduar, u bëj thirrje bluzave të bardha, në emër të misionit të tyre, në emër të të sëmurëve të tyre, moralit, humanizmit të tyre, të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut.

Të ngrihen së bashku me qytetarët, për vete dhe të sëmurët e tyre, për kauzën e tyre të drejtë.

Edhe njëherë me mirënjohje u falënderoj dhe ftoj çdo shqiptar më 11 korrik, ditën e fitores, ditën e ngadhënjimit në Tiranë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitore të opozitës”, tha Berisha.

SHKARKO APP