Aksidenti tragjik, dy ditë zie në Maqedoni dhe tre në Gostivar
Sot do të jetë ditë zie në Maqedoni për të nderuar 14 viktimat që humbën jetën në aksidentin tragjik i cili u ndodhi dje pasdite në autostradën Shkup-Gostivar, në afërsi të fshatit Llaskarcë.
Mbrëmë është mbajtur një mbledhje e jashtëzakonshme në Qeverinë e Maqedonisë ku është miratuar një vendim që datat 14 dhe 15 shkurt, të shpallen ditë zie në të gjithë vendin.
Ndërsa sot duke filluar nga ora 12:00, do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Komunën e Gostivarit për ngjarjen tragjike ku humbën jetën 14 persona nga aksidenti i autobusit në autostradën Shkup – Tetovë.
Në këtë seancë pritet që këshilltarët të sjellin vendimin për shpalljen e tre ditëve zie, për t’i nderuar viktimat që humbën jetën në këtë aksident.
“Sot, në ora 12:00, do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për ngjarjen tragjike. Në seancën e sotme pritet që këshilltarët të sjellin vendim për shpalljen e tre ditëve zie, në shenjë respekti të viktimave. Komuna e Gostivarit, familjarëve të viktimave u shpreh ngushëllime, ndërsa të mbijetuarve u dëshiron shërim të plotë sa më të shpejtë”, thuhet në kumtesë.