Aleanca ushtarake Zagreb-Prishtinë-Tiranë, Vuçiç: Kërcënimi më i madh për Serbinë. Rrisim investimet tona në mbrojtje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se kërcënimi më i madh për vendin e tij është formimi i aleancës ushtarake mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Duke folur nga Mynihu, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, Vuçiç u tha gazetarëve se Serbia është “seriozisht e kërcënuar” nga aleanca ushtarake mes Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës.
Ai u shpreh i shqetësuar për, siç tha, “heshtjen” e komunitetit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje. “Me formimin e një aleance ushtarake midis Kroacisë, Prishtinës dhe Tiranës, ne jemi shumë të kërcënuar dhe do t’i adresojmë seriozisht të gjitha këto”,-theksoi Vuçiç.
Vuçiç shtoi se gjatë takimeve në Mynih ka ngritur pyetjen për arsyet e krijimit të kësaj aleance dhe se është ende në pritje të një përgjigjeje të qartë. “Ende po pres që dikush të më japë një përgjigje për atë që përbën kjo aleancë,” tha ai, duke theksuar se Serbia mbetet shumë e shqetësuar për zhvillimet e fundit në rajon.
Presidenti serb njoftoi se së shpejti do të marrë pjesë në mbledhjen e Kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Serbe dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe do të vizitojë fabrikat e industrisë së mbrojtjes. Ai paralajmëroi se do të ketë investime shtesë të konsiderueshme në industrinë ushtarake serbe.
KOHA JONË SONDAZH

