Ambasadori amerikan në Beograd: Dy opsionet në tavolinë për Prishtinë
”Është shumë herët të thuhet se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është i pasuksesshëm”, tha Christopher Hill, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Beograd. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Hill tha se nuk e priste “suksesin e plotë” të negociatave dhe se pritja e tij ishte kthimi në tryezën e bisedimeve. “Tani duhet të shohim [vazhdimin]”, tha ai.
Synimi i dialogut, siç thekson ai, është një zgjidhje politike që pret “dhënie e marrje” nga të dyja palët. “A mund të arrijmë një situatë ku serbët në Kosovë të ndihen rehat dhe të kenë një lloj Asociacioni të Komunave me shumicë serbe. Dhe së dyti, a mund të arrijë Prishtina atë që dëshiron, që është një rrugë e qartë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, tha Hill.
Ai theksoi se sulmi i armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë është pengesë e madhe për negociatat në Bruksel. Sipas tij, SHBA-ja është duke i monitoruar nga afër hetimet në Beograd dhe Prishtinë. “Fokusi është të zbulohet saktësisht se çfarë ka ndodhur, kush është përgjegjës. Dhe së fundi, të krijohen rrethana, ku kjo nuk mund të ndodhë më”, theksoi ambasadori amerikan.
–Zoti ambasador, le të nisim me bisedimet e djeshme [të Kosovës dhe Serbisë] në Bruksel. Duket se kanë përfunduar pa sukses. A e keni pritur një rezultat të tillë?
Christopher Hill: Nuk kam pritur ndonjë sukses të plotë. Por, sigurisht, kam pritur ca përpjekje për t’u kthyer në elementet thelbësore të dialogut. Në këtë kuptim, ka qenë një takim i rëndësishëm, të dyja palët kanë qenë në takim. Kështu që, do të shohim. Tani për tani, megjithatë, është e qartë se nuk i ka zgjidhur të gjitha problemet që mbeten në dialog.
-Diplomatët e BE-së dhe SHBA-së thonë gjithashtu se është e rëndësishme që udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të kthehen në rrugën e duhur, të kthehen në tryezë. Por, a është tani koha për një lloj të ri formati, duke qenë se ky nuk po jep shumë rezultate? Pra, si duhet të duket procesi?
Christopher Hill: Nuk dua ta hamendësoj procesin që Bashkimi Evropian ka krijuar. Mendoj se ka marrë shumë vëmendje të madhe në Bashkimin Evropian. Ka qenë e rëndësishme të shihet pjesëmarrja e presidentit të Francës, e kancelarit të Gjermanisë… Pra, mendoj se evropianët kanë kontribuar me një nivel të rëndësishëm përpjekjesh. Çështja e vërtetë është thelbi i dialogut. A mund të arrijmë në një situatë ku serbët në Kosovë ndihen rehat me rrethinën e tyre dhe kanë një lloj asociacioni të komunave [me shumicë] serbe? Dhe, së dyti, a mund ta arrijë Prishtina atë që do, që është një rrugë e qartë drejt më shumë ndërkombëtarizimi? Këto janë çështje komplekse, probleme të vështira, sigurisht të trashëguara. Por, gjithashtu, shpresoj se do të ketë një frymëzim për të ardhmen. Është shumë herët për të pretenduar se ky është dështim. Le të shohim se si shkon prej këtu.
-Por, sa afër jemi?
Christopher Hill: Do ta di kur të jemi atje. Është shumë e vështirë ta matësh se sa afër je kur nuk je atje. Ajo që di është se ky proces dialogu është ndërprerë nga një situatë shumë, shumë e vështirë dhe, në fakt, diçka që ka qenë mjaft e dëmshme për procesin e përgjithshëm. Këto janë ngjarjet që kanë ndodhur në Banjskë.
-Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë që të marrë pjesë në hetimin e sulmit në Banjskë. Por, a janë hetimet paralele në Serbi dhe në Kosovë – pa bashkëpunim – rrugë e mirë për ta sqaruar atë që ka ndodhur?
Christopher Hill: Unë mendoj se çështja është që të përqendrohemi në atë që ka ndodhur saktësisht, kush është përgjegjës, pse e kanë bërë dhe, në fund, të krijohen rrethana ku kjo nuk mund të ndodhë më. Unë mendoj se kjo përfshin shumë struktura të ndryshme. Çfarë mund të bëjë KFOR-i, kontingjenti i NATO-s, në këtë drejtim? Cilat aspekte të tjera duhet të trajtohen? Nuk është e lehtë, por mendoj se është një proces që duhet të jetë i plotë, duhet të jetë i qartë për njerëzit dhe, në fund, duhet të jetë efektiv dhe të sigurojë që kjo të mos ndodhë më kurrë.
-Si të arrihet ky bashkëpunim, duke qenë se të dyja palët kanë interpretime krejtësisht të kundërta?
Christopher Hill: Po, ky është padyshim problem. Kjo është arsyeja përse duhet ndërmjetësim për ta arritur këtë. Është e qartë se po zhvillohen hetime… Pala serbe ka thënë se do ta bëjë një hetim të plotë. Të njëjtën gjë po e bën edhe pala kosovare. Mendoj se SHBA-ja po vëzhgon me shumë vëmendje.E gjitha – me qëllim që të sigurohemi se ka përgjegjësi dhe nuk përsëritet më. Pra, është një faktor i madh. Por, në fund, ajo që na duhet, është një proces dialogu që synon një zgjidhje politike. Pra, nuk mund ta harrojmë kurrë dialogun. Dhe, në këtë aspekt, jam i lumtur që zoti [Mirosllav] Lajçak [përfaqësuesi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi] i ka mbledhur palët, ka marrë një vëmendje të lartë evropiane. Gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është ta mbështesim procesin e zotit Lajçak dhe të përpiqemi të sigurohemi se ai është përfundimisht i suksesshëm. Këto gjëra nuk ndodhin në kohën që të gjithë duan që të ndodhin e, sidomos, kur keni pengesa të mëdha, siç është ajo që ka ndodhur në Banjskë.
-Në atë proces, në procesin e Brukselit, Prishtina bëri thirrje për sanksione ndaj Serbisë. Pra, cilat do të ishin pasojat nëse autoritetet në Beograd shpallen përgjegjëse për sulmin?
Christopher Hill: Epo, përsëri, nuk dua ta marr përsipër këtë pyetje. Natyrisht, ka shumë hetime, kështu që nuk mund, në të vërtetë, të futem në hipoteza për këtë. Dua të theksoj edhe një herë, duke rrezikuar të tingëlloj tmerrësisht përsëritës, se ky është një problem që ka nevojë për një zgjidhje politike, jo një zgjidhje ushtarake. Dhe duhet të ketë një respekt për opinionet e secilës palë dhe të shihet nëse disa nga këto probleme mund të adresohen përmes një procesi dialogu. Nuk di një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë. Unë nuk mendoj se do ta keni një situatë ku njëra palë të jetë në gjendje thjesht ta diktojë palën tjetër. Mendoj se duhet të ketë një proces të dhënies dhe të marrjes. Dhe, unë mendoj se kjo është ajo që zoti Lajçak po përpiqet të bëjë. Dhe, që ai të punojë shumë ju e dini, ai ka pasur shumë arritje në jetën e tij dhe po punon për një çështje shumë të vështirë dhe mendoj se ai e meriton mbështetjen tonë.
-E tash, Prishtina edhe ka bërë të ditur se do ta kërkojë ekstradimin e atyre që janë përgjegjës për sulmin në Banjskë. E kishin me Radoiçiqin. Pra, duke qenë se Serbia dhe Kosova nuk kanë bashkëpunim, nuk kanë marrëveshje për ekstradim, si e shihni këtë proces?
Christopher Hill: Epo, në të vërtetë, nuk mund ta diskutoj atë që kërkon apo nuk kërkon Qeveria në Prishtinës. Ajo që di është se z.Radoiçiq, përmes avokatit të tij, ka marrë njëfarë përgjegjësie për atë çfarë ndodhi. Pra, do të doja të shihja se cili do të ishte procesi në të ardhmen me z.Radoiçiq. E kuptoj që është në Serbi, i është thënë të mos largohet, dhe, në të vërtetë, i është thënë ta presë një proces penal në të ardhmen. Pra, le të shohim se si do të shkojë. Pra, më mirë të mos hyj në këto lloj pyetjesh, përveçse të them se duhet të ketë një llogaridhënie të plotë për atë që ndodhi.
-Si i shihni ato mesazhe politike në lidhje me sulmet në Banjskë nga Beogradi, duke qenë se Vuçiq tha se sulmuesit nuk janë terroristë për të dhe interpretimin e ngjarjes?
Christopher Hill: E dini, çështja se kush është terrorist dhe kush është diçka tjetër është një pyetje e vjetër. Dhe, kjo nuk është hera e parë që shfaqet. Ne shpesh flasim për këto situata unike në Serbi dhe Kosovë. Epo, nuk ka asgjë unike për këto lloj situatash. Pra, ne kemi nevojë… ju e dini, ne kemi parë këto lloj problemesh më parë. Dhe, përsëri, rruga përpara… dhe të gjithë duhet ta kuptojnë këtë dhe ta kuptojnë shumë më mirë nevojën që të dyja palët të ulen në tavolinë, [të tregojnë] se çfarë është ajo që duan nga ky proces dhe ta bëjnë atë të kapërdishme për palën tjetër.
Dhe kjo përfshin dhënien dhe marrjen. Askush nuk mund të largohet nga ky proces dialogu dhe të thotë ‘Unë dua gjithçka dhe unë e detyroj palën tjetër të pajtohet me gjithçka’. Mendoj se njerëzit duhet të reflektojnë edhe për faktin se Kosova dhe Serbia do të jenë përreth për një kohë të gjatë. Dhe ajo që na nevojitet realisht në përgjithësi në rajon është një kapacitet që vendet në rajon të punojnë më mirë së bashku dhe, në këtë kontekst, të jenë kandidate më të mira për procesin e [anëtarësimit] në BE. Dhe, unë mendoj se ne kemi parë nga BE-ja një dëshirë për të bërë më shumë, për [t’i çuar] një hap më tutje proceset e veta.
Mendoj se në lidhje me Serbinë, është e rëndësishme të jemi në linjë në këtë proces të rritjes, për të cilën zonja Von der Leyen ka folur javët e fundit. Unë mendoj se shumë zgjidhje për këto gjëra qëndrojnë në një BE që po shqyrton se sa më mirë dhe sa më shpejt t’i sjellë këto vende, si Serbinë, në strukturat e BE-së. Pra, kjo është diçka që po ndodh dhe jam i sigurt se serbët do t’i kushtojnë shumë vëmendje kësaj, dhe jam i sigurt se edhe autoritetet serbe po e bëjnë pikërisht këtë.
-Kur përmendët integrimet në BE, ka një çështje të hapur në lidhje me sanksionet kundër Rusisë. Serbia nuk është duke vendosur sanksione, dhe zyrtarët duan të theksojnë shumë shpesh që Serbia ka 20 muaj që nuk ka vendosur sanksione.
Christopher Hill: Po, Serbia ka ngulmuar të mos vendosë sanksione më gjatë se sa këmbënguli ushtria ruse në disa pjesë të Ukrainës. Shikoni, ky është një rast i qartë agresioni, agresioni të tmerrshëm, agresioni që nuk ka vetëm… Rusia jo vetëm që i ka kërcënuar fqinjët e saj, por ka kërcënuar furnizimet botërore të ushqimit, furnizimet botërore me energji. Kjo është me të vërtetë sjellje e egër e rusëve.
Mendoj se Serbia ka folur shumë qartë për këtë. Mendoj se kemi parë një lloj marrëdhënieje në zhvillim. Nuk është një marrëdhënie e re, por një marrëdhënie që po forcohet mes Serbisë dhe Ukrainës. Kemi parë takime dypalëshe mes dy presidentëve të dy vendeve. Kështu që unë mendoj se Serbia po bën disa gjëra. E dini, sa i përket sanksioneve, e di që është një temë shumë e ndjeshme në Serbi.
Pikëpamja ime, pikëpamja e vendit tim, është që të gjithë duhet t’u bashkohen sanksioneve kundër Rusisë. Mendoj se është më mirë që Serbia ta kuptojë diçka të tillë dhe të ndërmarrë veprime bazuar në mirëkuptimin e saj. Kështu që unë nuk jam këtu për t’i thënë Serbisë se çfarë të bëjë në lidhje me këtë, por do t’i nxis të gjithë t’i shikojnë rrethanat objektive të një vendi që sulmon fqinjin e tij me qëllim për t’ia vjedhur territorin fqinjit. Dhe, ky është një problem i madh dhe shpresoj që të gjithë ta shohin atë në këto kushte.
-Ju keni thënë një herë se Serbia po paguan një çmim të lartë për mosvendosjen e sanksioneve. Pra, çfarë iu privua Serbisë?
Christopher Hill: Ju e dini, unë mendoj në kuptimin që, ju e dini, Bashkimi Evropian pret një përafrim të çështjeve të politikës së jashtme. Ata presin përafrim. Dhe, sigurisht që nëse Serbia do të lëvizte në çështjen e sanksioneve me Rusinë, mendoj se do të kishte një vlerësim për faktin që Serbia do ta sillte veten në një linjë më të afërt me Bashkimin Evropian për këtë. Dua ta theksoj që ne besojmë që Rusia duhet, sinqerisht, të sanksionohet për krimet që ajo ka kryer kundër fqinjit të saj. Por nuk jam i sigurt se është e dobishme për mua të ulem këtu dhe t’i tregoj Serbisë se çfarë duhet të bëjë. Serbia duhet, e dini, t’i mendojë vetë këto çështje për t’i kuptuar aspiratat e veta për Bashkim Evropian, për ta kuptuar se kjo është e ardhmja e Serbisë. Serbia nuk ka ku të shkojë tjetër. Dhe kështu unë shpresoj se ata do të vendosin vetë në këtë drejtim.
–Lidhjet me Kinën po ashtu janë thelluar. Gjatë vizitës së fundit në Pekin, u nënshkrua një marrëveshje e tregtisë së lirë. Si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet dypalëshe midis Beogradit dhe Uashingtonit?
Christopher Hill: E dini, Serbia ka të drejtë të mbajë marrëdhëniet e saj me vendet e tjera. SHBA-ja ka marrëdhënie me Kinën. Sinqerisht, ne kemi shumë më tepër tregti me Kinën sesa Serbia ka me Kinën. Pra, e përsëris, unë nuk jam këtu për të mbajtur leksione se çfarë duhet të bëjë Serbia në lidhje me Kinën. Mendoj se shohim në gazetat në Serbi, shohim në shtyp një përpjekje për t’ia bërë të njohur lexuesit dhe publikut faktin se ka anë të mira dhe ka anë të këqija. Marrëdhëniet e Kinës me disa vende më të vogla, qoftë në Afrikë apo në Azinë Juglindore, ndonjëherë ka pasur shumë shqetësime për disa nga këto lidhje ekonomike.
Pra, mendoj se Serbia ka pjekurinë dhe mirëkuptimin për t’u marrë me këto lloj gjërash me kujdes dhe në interes të Serbisë. Natyrisht, interesat tona preken herë pas here nga këto çështje dhe sigurisht që jemi në kontakt me Qeverinë serbe. Por, përsëri, unë mendoj se politika e jashtme më e mirë është kur ke konsultime të mira, kur nuk e befasoni njëri-tjetrin, kur keni një shkëmbim të lirë mendimesh dhe kur nuk mendoni se thjesht mund t’i tregoni palës tjetër se çfarë të bëjë. Pra, ky është lloji i marrëdhënies që duam të kemi me Serbinë dhe mendoj se po punojmë për këtë.
-Kur është fjala për bashkëpunim dhe marrëdhënie, a janë lidhjet e ngushta mes zyrtarëve serbë dhe personave në listën e zezë të SHBA-së nga Serbia dhe entitetit serb në Bosnje, Republika Sërpska, një çështje e hapur midis Beogradit dhe Uashingtonit?
Christopher Hill: Po, mendoj se kemi pasur disa probleme reale me udhëheqjen serbe në Bosnje. Ky pa dyshim është një problem i madh për ne. Dhe kur shikojmë disa nga këta zyrtarë, qofshin ata këta individë, çfarë kanë bërë dhe cilat janë pikëpamjet e tyre, ne kemi të drejtë të marrim vendime që bazohen në nevojat tona dhe në sigurinë tonë. Dhe, disa prej këtyre njerëzve ne nuk duam t’u japim viza, nuk duam që ata të kenë llogaritë e tyre bankare në Shtetet e Bashkuara, sinqerisht nuk duam të bëjmë asgjë me ta. Ne, sigurisht, kemi të drejtën t’i shpallim ata njerëz persona non grata. Ne e kemi bërë këtë me zotin Dodik, e kemi bërë këtë kohët e fundit me fëmijët e tij të rritur, meqë ra fjala. Ne i quajmë fëmijë, por në fakt janë të rritur. Ne e kemi bërë shumë të qartë, ne nuk do të merremi me njerëz që abuzojnë me paratë e të tjerëve dhe që sillen në mënyrat që ne mendojmë se nuk janë në përputhje me asnjë lloj standardi. Dhe ne do të marrim masa për ta mbrojtur veten nga njerëz të tillë.
-A mendoni se Beogradi po i heton këto akuza shumë të rënda, të cilat theksohen në shpjegimet e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Thesarit?
Christopher Hill: E di që Beogradi sigurisht ka mendimet e tij për këto çështje. Unë jam duke folur realisht lidhur me sanksionet ndaj Republikës Sërpska, të cilat, mendoj, janë dizajnuar në mënyrë të përshtatshme për t’i ndjekur njerëzit që, në mënyra të ndryshme, kanë shkaktuar probleme të mëdha, duke filluar nga fakti që ata nuk e mbështesin Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Unë do të theksoja, mendoj se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit ishte një gjë shumë e mirë për popullin etnik serb në Bosnje. Mendoj se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është mjaft e përshtatshme dhe me të vërtetë një qasje e mirë. Dhe autoritetet e Beogradit e kanë thënë këtë në shumë raste se ata e mbështesin këtë dhe mbështesin integritetin territorial të Bosnjës. Pra, kur shohim njerëz në Bosnje, dhe kushdo qofshin, ne ndiejmë, si për çdo vend tjetër, të drejtën për të ndërmarrë veprime kundër njerëzve të tillë dhe për t’i mbajtur këta njerëz larg territorit tonë dhe të sigurohemi që ata të mos bëjnë biznes me ne. Pra, kjo është një lloj baze e këtyre sanksioneve.
-Ju jeni prezent këtu në këtë rajon për një kohë shumë të gjatë dhe shumë prej figurave politike dhe partitë politike kanë qenë aktive në vitet ’90 dhe tani në rajon, edhe në Serbi. A ishte më e lehtë për ju të flisni me ta atëherë apo tani?
Christopher Hill: Unë përfaqësoj interesat e SHBA-së dhe besoj se interesat e SHBA-së shërbehen më së miri nga diplomatë të mirëinformuar, ndaj flas me të gjithë ata që mundem, sepse në pluralitetin e opinioneve do të mësoni gjëra. Nuk përpiqem ta kufizoj veten se do të flas vetëm me njerëz të caktuar, sepse disa njerëz të tjerë nuk duan që unë të flas me njerëz të caktuar. Unë do të bëj zgjedhjet e mia se me kë do të flas.