Apokalipsi grek, aktorja e mirënjohur gjendet e vdekur

Aktorja e njohur Hrysa Spilioti, e cila rezultonte e zhdukur që prej të hënës së kaluar, ndodhet mes viktimave të zjarrit në Mati.

Identifikimi i saj është kryer të dielën dhe lajmi është publikuar në Facebook nga mikesha e ngushtë e të ndjerës, Anneta Papathanasiu.

“Të dashur miq, mikja ime e ngushtë prej 32 vjetësh, Hrysa Spilioti u identifikua dhe është zyrtarisht e vdekur’, shkruante statusi lakonik.

Të premten ishte identifikuar edhe trupi i bashkëshortit të saj, Dimiri Turnaviti.

Aktorja e njohur ndodhej në Mati në banesën e verimit bashkë me të shoqin.

Siç u tha që në fillim, shtëpia si dhe varka e tyre ishin djegur, ndërsa makina e tyre u gjet në afërsi të bregdetit.

Kush ishte Hrysa Spilioti?

Hrysa Spilioti ishte aktore, regjisore dhe shkrimtare.

Me studime për dramaturgji dhe aktrim në Greqi dhe në Francë, ajo punoi për mjaft kohë në skenë, duke interpretuar role të rëndësishëm nën drejtimin e regjisorëve më të njohur grekë.

Që nga fillimi i viteve 1980, ajo debutoi dhe në një sërë serialesh televizivë. Krahas teatrit, iu përkushtua më shumë letërsisë dhe dramaturgjisë.

Pjesë teatrale të saj u ngjitën në skenat më të rëndësishme greke, ndërsa shfaqja “Kush e zbuloi Amerikën?”, u përkthye në shtatë gjuhë. Kritika kishte mirëpritur edhe përmbledhjet me tregime.

SHKARKO APP