Armatosja e Serbisë, reagon zv.ministri i mbrojtjes: Rrezik për gjithë Ballkanit

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Burim Ramadani, ka shprehur shqetësimin se armatimi i Serbisë nga Rusia është me rrezik jo vetëm për vendin e tij, por për të gjithë Ballkanin. Ai këtë veprim e shikon si një hakmarrje të Serbisë e Rusisë ndaj NATO-s dhe demokracive të botës.

Në një status në Facebook, Ramadani shkruan se Serbia është kthyer në një Rusi të vogël ndërkohë që paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO.

Statusi

Serbia u kthye në Rusinë e Vogël dhe kjo është shqetësim për gjithë rajonin.

Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvizje aferat korruptive janë të stërmëdha) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës.

Duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël.

Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale.

Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale.

SHKARKO APP