Asociacioni, Edita Tahiri: Qeveria Kurti s’po flet se e ka bërë kauzë
Me publikimin e draft statutit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nisjen e diskutimeve në Ambasadën Amerikane, reagimet dhe debatet në Prishtinë janë të shumta. Edita Tahiri thotë se nuk e ka lexuar pasi problemi kryesor aktualisht lidhet me qeverinë e Kosovës. Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, thotë se qeveria Kurti, duke qenë se e ka bërë kauzë Asociacionin, tashmë nuk merret fare me këtë çështje.
”Jam marrë me këtë proces në kohën e Brukselit kur isha negociatore. Kemi një problem politik në Kosovë që lidhet me qeverinë e Kosovës e cila, duke qenë se e ka bërë kauzë këtë temë, e ka kundërshtuar, i ka premtuar elektoratit që nuk do ta pranojë dhe tani nuk merret fare. Debati tashmë ka mbetur te zërat dhe të ata që nuk kanë mandat. Mandati i Asociacionin si detyrim ndërkombëtar është i qeverisë. Të gjithë po presim që të flasë”, u shpreh Edita Tahiri për ”A2cnn”.
Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, do të të ketë Kuvendin, Kryetarin, nënkryetarin, këshillin dhe bordin. Neni 16 parashikon që Qeveria e Kosovës, përmes një akti juridik, t’i japë Asociacionit statusin e subjektit juridik. Sa i takon financimit, sipas dokumentit në fjalë, këtu përfshihet edhe Serbia. Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryeministri Kurti janë kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike dhe kompetenca ekzekutive.