“Ballkani s’ka qenë prioritet i Perëndimit”

Ballkani perëndimor, sipas Bodo Weber, anëtar i lartë i Këshillit të Politikës së Demokratizimit, nuk ka qenë asnjëherë prioritet i Bashkimit Europian.

Organizata pranë së cilës punon si konsulent politik është e specializuar në politikat e jashtme e ato të sigurisë së rajonit, Gjermanisë dhe BE-së.

“Unë dhe kolegët e mi kemi gati një dekadë që paralajmërojmë mbi influencën ruse në Ballkan”, thotë ai në një intervistë për “European Western Balkans”.

Sipas tij, roli i Moskës ndër vite këtu është karakterizuar nga logjika e saj e ndërhyrjes për të prishur punë. “Duke dëmtuar politikat perëndimore e sidomos ato të BE-së në rajon është përpjekur të rrisë ndikimin e vetë”, thotë ai.

Dhe në arsyetimin e Weber, Perëndimi këtë e ka bërë të mundur duke krijuar një vakum më shumë se 10-vjeçar nëpërmjet performancës së tij të dobët në Ballkanin perëndimor që prej 2005-s, kur SHBA ia dorëzoi BE-së lidershipin perëndimor në rajon.

Angazhimi i bllokut qe i dobët dhe pa vullnetin e nevojshëm politik për transformimin e Ballkanit perëndimor, i cili nuk ka qenë asnjëherë parësor krahasuar me probleme të tjera të Bashkimit Europian, siç ishte kriza e euros, vijon analisti.

Për shumë vite, shprehet Weber, BE-ja ka mbetur me pilot automatik sa i takon zgjerimit. “Nuk e përfundoi punën e nisur nga Amerika në periudhën pas luftërave në drejtim të rindërtimit dhe krijimit të një mjedisi të favorshëm për demokratizim të qëndrueshëm”, thotë ai.

Rusia nga ana tjetër përfitoi nga boshllëku i krijuar kur lidershipi perëndimor i transferuar BE-së nuk erdhi kurrë dhe u hodh në veprim.

Një tjetër njohës i mirë i zhvillimeve në rajon, Daniel Serwer thotë se pikërisht mungesa e perspektivës europiane po i nxit deklaratat për “Shqipërinë e Madhe”.

Duke analizuar komentet e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi mbi gjasat e një bashkimi nëse BE-ja mbyll derën e integrimit, Serwer kujton se shpresa e aderimit është ajo që parandalon përpjekjet e vendeve të rajonit për bashkimin e grupeve etnike, edhe me koston e konfliktit.

“Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me një deklaratë analitike. Nuk e kuptoj si diçka që Rama dëshiron ta arrijë. Përkundrazi, mendoj se është plotësisht e qartë që ai nuk e do që kjo të ndodhë. Nuk njoh askënd në Prishtinë dhe Tiranë që dëshiron të jetë një politikan në një “Shqipëri të Madhe””, citohet ai nga “Newsweek”.

Mendoj se ka shumë frustrime jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi për shkak se procesi i zgjerimit evropian po ecën ngadalë, shprehet Serwer.

/ Top Channel

SHKARKO APP