Bastet favorizojnë Daçiç si kryeministrin e ri serb
Në Serbi bastet për kryeministrin e ri kanë filluar ethshëm, ndërsa pretendenti kryesor i tyre është kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiç, i cili ka qenë më parë kryeministër.
Nga Maja Zivanovic, BIRN
Bastexhinjtë në Serbi e vlerësojnë Ivica Daçiç, partnerin e koalicionit qeverisës, si njeriun me më shumë gjasa të zëvendësojë kryeministrin aktual dhe së shpejti presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 2 prillit.
Daçiç është i preferuari i tyre krahasuar me ministrin e financave, Dusan Vujoviç i cili renditet i dyti.
Kreu i Partisë Socialiste ka lënë të kuptohet interesin e tij për pozicionin e kryeministrit, ndërsa sugjeron se mund të mos e marrë atë.
“Nëse ai [Vuçiç] mendon se kjo është zgjedhja më e mirë, atëherë do të flisnim seriozisht,” tha Daçiç për të përditshmen Blic më 30 prill, duke shtuar se nëse nuk duan që dikush të marrë një post, zakonisht e rekomandojnë atë. “Për shkak të kësaj, nuk do të jem unë kryeministri,” shtoi ai me ironi.
Bojan Klacar, nga Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, tha se nuk do të ishte çudi që Daçiç të bëhej kryeministër nëse nuk do të ishte “zgjidhja tranzicionale” e Vuçiç.
Klacar shtoi se në këtë rast Serbia mund të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. “Një ndryshim i fuqisë politike të socialistëve nuk i përshtatet Vuçiç në kuptimin afatgjatë,” tha për BIRN Kalcar.
Partia Progresive e Vuçiç dhe Socialistët e Daçiç kanë qenë në koalicion që nga zgjedhjet e 2012 dhe kjo do të ishte hera e dytë që Daçiç merr postin kryeministror, pasi e ka mbajtur më parë nga viti 2012 deri në 2014.
Kryeministri zgjidhet nga parlamenti me shumicë votash.
Bastexhinjtë nga Meridian Bet të hënën e vunë Daçiç në krye të favoritëve me koeficent 1.8.
Shanset për ministrin e financave Vujoviç janë të larta në 3.50.
Pas Vujoviç është ministrja e qeverisjes vendore Ana Brnabiç, e cila është e njohur për qendrimet pro-BE, por edhe si e para zyrtare e lartë LGBT në Serbi.
Blic më 12 maj tha se Kisha Ortodokse Serbe po lobonte fort kundër saj si kryeministre, duke cituar burime afër qeverisë.
Personi që ka më pak gjasa sipas bastexhinjve për postin e kryeministrit, është presidenti serb në largim Tomislav Nikoliç. Ministrja e infrastrukturës Zorana Mihajloviç renditet me shanse të mesme.