BE – Ballkan, – jo më: Ne dhe ata!
100 vjet pas Luftës së Parë Botërore: Deklaratë mbi Partneritetin Evropian me rajonin
Ballkani është përsëri në axhendën evropiane, duke hapur rrugën për krijimin e marrëdhënieve më transparente dhe rinovimin e partneritetit. Pas shumë viteve të lënies pas dore të këtij rajoni, rritjes së autoritarizmit dhe ndërhyrjes destruktive të fuqive të huaja, Bashkimi Evropian (BE) kohëve të fundit ka kuptuar nevojën e përshpejtimit urgjent të reformave dhe përfundimin e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor (BP). Në mënyrë që vëmendja e ripërtërirë të prodhojë rezultate konkrete, duhen bërë përpjekje të tjera të përbashkëta, duke përfshirë krijimin e një partneriteti të ri evropian me Ballkanin. Marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor bazohen në lidhje të forta politike dhe socio-ekonomike, ndërvarësi dhe marrëdhënie të ndërsjella, si dhe mbi të kaluarën e përbashkët dhe shpresat për të ardhmen.
Dhjetë vjet më parë u krijua Fondi Evropian për Ballkanin me qëllim të kontribuimit në forcimin e demokracisë, promovimit të procesit të integrimit evropian dhe promovimit të rolit të BP-së në zgjidhjen e sfidave të sapokrijuara me të cilat po përballet Evropa. Që nga viti 2008 deri më sot, BE dhe BP kanë pësuar ndryshime të rëndësishme nën ndikimin e krizave të ndryshme nëpër të cilat kanë kaluar. Nga njëra anë, janë vënë në pikëpyetje bazat normative të Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, ka ardhur deri te forcimi i serishëm i tendencave autoritare në BP. Disa vende të BP-së kanë bërë përparim formal drejt anëtarësimit në BE, ndërsa të tjerat janë ende prapa. Procesi i demokratizimit të rajonit nuk është përfunduar plotësisht. Këto sfida duhet të pranohen si një shans për të forcuar më tej partneritetin evropian me Ballkanin, në mënyrë që të gjitha vendet në rajon të bëhen anëtarë të plotë të BE-së. Duke u bazuar në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Ballkan, “Ballkani në Ardhmërinë e Evropës”, kjo Deklaratë hap rrugën për etapën e ardhshme dhjetëvjeçare të procesit, e cila do të jetë kyçe për transformimin e BP-së.
Njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, viti 2018 duhet të shënojë kthesë historike. Strategjia e re e Komisionit Evropian dhe samiti i Ballkanit Perëndimor i planifikuar për maj 2018, konfirmojnë angazhimin e fuqishëm të BE-së për të përmbushur këtë synim.
Aderimi në BE nuk është synim në vetvete, por mundësi për transformim të plotë të Ballkanit. Është e nevojshme të rishikohen dhe të ripërtërihen stimujt dhe shpërblimet për integrimin evropian, por edhe të rivitalizohet kushtëzimi i bazuar në vlerat evropiane. Nëse BE-ja duhet të vendosë kërkesa rigoroze, atëherë qasja e saj duhet të jetë e përcaktuar qartë, e menjëhershme dhe tërheqëse. Nëse rajoni e shfrytëzon këtë mundësi, mund të bëhet pjesë e BE-së dhe të barazojë zhvillimin demokratik, social dhe ekonomik me shtetet anëtare të BE-së. Megjithatë, nëse BP e humb këtë mundësi, rrezikon të mbetet pas BE-së, pa ndonjë drejtim të qartë, i ekspozuar ndaj destabilizimit të mëtejshëm.
Partneriteti evropian me Ballkanin duhet të bazohet në marrëdhënie më të ndershme dhe më transparente, të cilat i japin përparësi transformimit demokratik. Strategjia e KE paraqet një hap të parë pozitiv në atë drejtim, por tani ajo duhet të transformohet në bashkëpunim më intensiv me qeveritë dhe shoqëritë e rajonit. Ndërkohë, udhëheqja politike e rajonit duhet të rikthejë besueshmërinë me përkushtim të vërtetë për ndryshime.
Anëtarësimi në BE nuk është çështje e oportunizmit politik, por e vendosmërisë politike dhe socio-ekonomike të gjeneratës. Bashkimit Evropian sot nuk i duhet zgjerimi vetëm për zgjerim, por angazhimi dhe përkushtimi i sinqertë, si i BE-së ashtu edhe i BP-së. Sundimi i ligjit, administrimi i përgjegjshëm, liria e shprehjes, barazia gjinore dhe ndarja e qartë e pushtetit janë parakushte kryesore për aderim, të cilat do të kontribuojnë në vitalitetin dhe qëndrueshmërinë e transformimit demokratik të Ballkanit. Për këtë qëllim, ne i bëjmë thirrje BE-së dhe Ballkanit që të krijojnë një “bashkësi të re” të bazuar në një strategji që ka për bazë katër shtylla kryesore: bashkëpunim më intensiv të BE-së me Ballkanin; përpjekje më sistematike në promovimin e kulturës së të mësuarit dhe përmirësimit në të gjitha nivelet e arsimit në mënyrë që të avancohet kapitali njerëzor; afrim rajonal të sinqertë dhe të qëndrueshëm; dhe realizim të vizionit të bashkëpunimit më të ngushtë në fusha të ndryshme të politikave të BE-së, të përshtatura për nevojat konkrete.
Negociatat e aderimit nuk duhet të kufizohen vetëm në dialogun institucional midis institucioneve të BE-së dhe shteteve në rajon. Partneriteti i ri evropian me Ballkanin kërkon më shumë se sa aderimin në BE: kërkon ndërtimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës dhe rolin e Ballkanit në të.
Legjitimiteti demokratik i së ardhmes së BE-së duhet të bazohet në përfshirjen më të gjerë të qytetarëve në procesin e aderimit dhe përfshirjen pozitive dhe konstruktive të organizatave të shoqërisë civile, iniciativave progresive qytetare dhe opozitës politike. Të gjithë evropianët ndajnë të ardhme të përbashkët. Kjo është arsyeja pse të gjithë qytetarët e shteteve anëtare dhe shteteve të mundshme anëtare të BE-së duhet të kontribuojnë në debat publik mbi të ardhmen e BE-së. Renovimi dhe rindërtimi i BE-së në bazë të unitetit, solidaritetit dhe përgjegjësisë më të madhe të përbashkët është i domosdoshëm. Sa më i madh përparimi në integrimin evropian gjatë disa viteve të ardhshme, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja, jo vetëm e ardhmja e BP-së, por e gjithë Evropës. Ballkani duhet të bëhet pjesë e pandashme e dialogut të përbashkët evropian.
Bashkëpunimi rajonal nuk është kusht i imponuar nga jashtë, por parakusht për ri-zbulimin e interesave të përbashkëta dhe krijimin e një identiteti të ri rajonal brenda BE-së. Afrimi rajonal duhet të bazohet në vlerat themelore të BE-së: në zgjidhjen e përhershme të mosmarrëveshjeve bilaterale për të kapërcyer trashëgiminë e luftërave dhe konflikteve nga e kaluara.
Përcaktimi për zgjerim riafirmon vlerat themelore të Bashkimit. Me këtë Deklaratë, ne kërkojmë bashkimin e serishëm të Evropës. Evropës pa ndarje në “ne” dhe “ata”, Evropës së të gjithë qytetarëve të saj. Me këtë partneritet, ne duam të mundësojmë bashkimin e serishëm dhe realizimin e idesë së kontinentit evropian të paqes. Vlerat evropiane janë vendimtare për të gjithë evropianët që jetojnë në Ballkan dhe të afërmit e tyre. Sidoqoftë, përvojat nga e kaluara na mësojnë se ne nuk guxojmë t’i marrim ato si diçka të sigurt por duhet të luftojmë për to.
Së bashku, BE dhe Ballkani vërtet mund të forcojnë dhe stabilizojnë Evropën dhe të krijojnë hapësirë për paqen, demokracinë dhe sigurinë, si dhe të kontribuojnë në të ardhmen e saj të përbashkët, të mbështetur në solidaritet, llogaridhënie, pluralizëm dhe tolerancë. Ne kemi nevojë për vizion të ri që shkon përtej kornizave të zgjidhjeve ekzistuese, të njohura mirë – kryesisht teknokratike. Ne duam të ripërcaktojmë Ballkanin si një rajon të integruar në BE me qëllim që të kapërcejmë pozicionin margjinal shumëvjeçar të këtij rajoni dhe ndjenjat e qytetarëve të tij se ata nuk janë shtetas evropianë të rendit të parë por të dytë. Ne duam të përqendrohemi në çështjet thelbësore dhe të nxisim narrativë të re rreth Ballkanit evropian. Ne duam të ndajmë të ardhme të përbashkët evropiane me vendet e Ballkanit.
Duke vendosur këtë si qëllim tonë të përbashkët, ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të kontribuar personalisht në realizimin e vizionit tonë të përbashkët të Evropës.