Besimtarët katolikë festojnë Pashkën, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë bën apel për paqe mes Kosovës dhe Serbisë
Besimtarët e krishterë sot kremtojnë Pashkën. Mbrëmjen e kaluar, në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve.
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji tha se të gjithë duhet të lutemi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve të mund të fitojë që të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Mos të hezitojmë që këtë natë t’i lutemi Zotit tonë për të gjithë popujt, për të gjithë njerëzit, edhe për ata që besojnë ndryshe e do të festojnë Bajramin, edhe për ata që do të festojnë pashkët më vonë që janë ortodoksët dhe që adhurojnë Krishtin, të gjithë të bashkohemi në lutje Zotit krijues për paqe në mes nesh, për paqe në vendin tonë për paqen dhe pajtimin në mes popujve, ashtu që dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë dhe pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve të mund të ngallënjejë që të gjithë të bashkuar të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë sepse toka nuk na takon vetëm neve, as e ardhmja nuk na takon vetëm ne, u takon të gjithëve të gjithëve fëmijëve të hyjit“, tha ai.