Bisedimet e para për formimin e qeverisë, çfarë vendosën Zaev dhe Ahmeti

Pas marrjes së mandatit nga presidenti i vendit, kreu i LSDM, Zoran Zaev ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me kreun e BDI, Ali Ahmeti. Por mesa duket takimi i parë mes tyre që zgjati rreth dy orë nuk ka dhënë rezultat.

“Në periudhën që vjen do të intensifikohet dinamika dhe bisedimet në mes dy partive, përfshirë këtu edhe partitë që dhanë mbështetje për qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë, që më pas të kalohet në zgjidhje konkrete për postet dhe ministritë”, thuhet në deklaraten e LSDM.

Por zëdhënësi i partisë, Petre Shilegov insiston se ndarja e posteve nuk është më e rëndësishme se rikthimi i funksionimit të sistemit.

“Është e parëndësishme çështja e ndarjes së resorëve, apo ndarja personale e emrave dhe resorëve sipas partive politike. Ajo që është më e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë, është që vendosim principe të funksionimit të sistemit, funksionimi i një qeverie që qytetarët do ta ndjenjë si të veten. Nëse mbeten principet e njëjta, apo mënyra e njëjtë e funksionimit të sistemit dhe të qeverisjes, atëherë aspak nuk është e rëndësishme ndarja e resorëve dhe zgjidhja kadrovike”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Gjatë ditës së djeshme, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi se pret që bisedimet të përfundojnë shpejt. Menjëherë pas marrjes së mandatit, paralajmërimet nga shumica parlamentare ishin se bisedimet do të përfundojnë brenda 10 ditëve.

SHKARKO APP