Bisedimet me Greqinë/ Takim i liderëve për emrin, qeveria e Maqedonisë nuk tregon datën
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se pas festës së Pashkëve do të mbahet takimi liderësh, por nga kabineti i tij nuk japin informata për sa i përket ditës, pjesëtarëve dhe temave që do të diskutohen në këtë takim.
Alsat mëson se gjatë takimit, qeveritarët do t’i informojnë opozitarët në lidhje me ecurinë e bisedimeve me Greqinë fqinje për çështjen e kontestit të emrit. Sipas burimeve, në takimin e liderëve pritet që të marrë pjesë edhe Kryetari i Shtetit, Gjorge Ivanov. Ndërkaq Zaev gjatë fundjavës edhe një herë paralajmëroi ri-formatimin e Qeverisë në një periudhë të shkurtër kohore. Ai shtoi se po analizohen me kujdes rezultatet që kanë dhënë deri tani ministrat aktual. Nga ana tjetër qytetarët janë të ndarë në mendime për sa i përket ri-formatimit të formacionit qeverisës. Disa nga ta thonë se duhet ende kohë për të parë suksesin apo dështimin e ministrave dhe kuadrove tjerë duke pasur parasysh gjendjen në të cilën kjo Qeveri e ka gjetur shtetin, ndërsa të tjerët nuk janë të kënaqur me punën e deritanishme të këtij formacion.
“T’ju them të drejtën nuk jam shumë e kënaqur me punën e deritanishme të Qeverisë sepse të rinjtë po ikin nëpër shtete tjera. Këtu fabrikat na i mbyllën, ndërsa të ritë po ikin nga shtëpitë e tyre.
Nga askush nuk jam i kënaqur. Unë kërkoj vetëm jetë të mirë për të gjithë e këtë nuk po mund ta gjejmë, as në këtë qeveri e as në atë paraprake.
Ata e dinë më mirë, sidomos kryeministri. Por unë mendoj se ende është herët që të kthehen punët ashtu siç duhet. Është ende herët duke pasur parasysh se si kanë punuar më herët shtetit dhe gjyqësori.
Ndoshta është herët që të vlerësohen ministrat por puna është paksa e komplikuar – thonë qytetarët e intervistuar.
Shumica parlamentare gjithashtu është e interesuar për zgjerimin e koalicionit. Aleanca për shqiptarët në Kuvendin e mbajtur ne Kërçove ka vendosur që në asnjë formë të mos jetë pjesë e ndonjë përbërje të re qeveritare, të cilës nuk do t’i paraprijë procesi zgjedhor parlamentar.
Ky vendim siç thuhet bazohet në indikacionet se garnitura qeverisëse nuk është mjaftueshëm bindëse në angazhimin e saj për reforma rrënjësore në vend. E gatshme për bashkëpunim me shumicën është shprehur Lëvizja Besa edhe pse mohuan që aktualisht po zhvillohen bisedime konkrete për t’u bërë pjesë e qeverisë. Nga Lëvizja Besa thonë në rast të ndonjë oferte, do shqyrtojnë gjitha pikat në kryesinë qendrore e më pas do të njoftojnë opinionin në lidhje me vendimin. Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare vazhdon të kalkulojë në heshtje duke mos bërë të ditur qëndrimin e saj në lidhje me bashkërenditjen në Qeverinë e Zaevit.