Buhler: Shteti i Serbisë ishte i përfshirë në su*min në Banjskë

Shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë në sulmin e Banjskës në Kosovë. Këtë e konfirmon gjenerali gjerman i dalë në pension, Erhard Buhler, ish-komandant i KFOR-it, duke folur për televizionin publik të Kroacisë, HRT. Ai vë në pah faktin që Ballkani Perëndimor është destabilizuar pas luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë, ndërsa atë që ndodhi në shtator e konsideron një sulm terrorist.

“Me sa di dhe mund të gjykoj, nuk është e mundur që ata ta kenë kryer sulmin vetëm. Disa institucione të forcave të sigurisë serbe duhet të kenë qenë të përfshira. Të paktën ata e dinin për sulmin dhe e mbështetën atë. Ndryshe, nuk mund të stërviteshin në terrenin zyrtar të forcave serbe. Në një vend si Serbia, kjo nuk është e mundur pa e ditur nivelet më të larta”, u shpreh Buhler.

Sa i përket ndonjë kërcënimi të ri të mundshëm, marrë shkas nga alarmi i dhënë nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në A2 CNN se qindra serbë po stërviten për të kryer sulme të tjera, Buhler tha se nuk posedon ndonjë informacion, ndryshe nga se mund të kenë shërbimet e inteligjencës.

Por gjenerali këshilloi Kosovën që të mos i druhej asgjëje, pasi është në një pozitë shumë të mirë, ndërsa kritikoi ashpër sjelljen e Serbisë që mbështetë terroristët e Banjskës.

“Nuk është e pranueshme as retorika e qeverisë serbe. Por gjithashtu nuk është e nevojshme të flitet vazhdimisht për luftë. Është një pengesë në zhvillimin e të gjithë rajonit. Nuk duhet të ushqejmë një retorikë të tillë që i frikëson njerëzit, veçanërisht në Kosovë, por edhe në vendet përreth Kosovës”, shtoi ish-komandanti i KFOR.

Ndër të tjera, ish-komandanti i KFOR-it që shërbeu për një vit në 2010, tha se është e papranueshme që ushtria serbe të dërgojë trupa në kufirin me Kosovës dhe ta kërcënojë hapur atë.

SHKARKO APP