Burgu i Manastirit në Maqedoni si i Guantanamos, torturohen tre të burgosur shqiptarë

Burhan Saliu, Osman Osmani dhe Rexhep Memishi, janë tre të burgosurit të cilët që të enjten kanë filluar grevë urie në burgun e Manastirit. Ata ankohen për kushtet e vështira, torturë psikologjike dhe diskriminim në bazë religjioze dhe etnike. TV21 në telefon bisedoi me të burgosurit që po mbajnë grevë.

“Dua të ju them se kushtet janë shumë të këqija. Po më mbajnë të izoluar dy vite në dhomë 4 me 4. Kushtet janë shumë të këqija. Gjithashtu familja ime është shumë larg, nga Shkupi udhëtojnë për në Manastir.

400 kilometra me fëmijë të vogël. Djali më nuk më njeh. Edhe kjo gjithashtu ndikon shumë në psiken time dhe andaj kam filluar grevë.” “Më mbajnë katër muaj të izoluar. Nuk kanë të drejtë të më mbajnë të izoluar, por ja, po më mbajnë. Dhe ju lutem, shikoni nëse mundeni të bëni diçka për ne.

Të dalim prej këtu dhe të na transferojnë në Kumanovë”, thanë disa të burgosur në burgun e Manastirit. Nga burgu i Manastirit thonë se nuk kanë të drejtë të japin deklarata për mediat, andaj na udhëzuan që pyetjet tona t‘i parashtrojmë në Drejtorinë për zbatimin e sanksioneve, por deri më sot nga drejtoria, nuk morëm përgjigje. “Sipas tre të burgosurve, kushtet në burgun e Manastirit janë të ngjashme me burgun famëkeq “Guantanamo”.

Ata kërkojnë që të gjithë të solidarizohen për përmirësimin e gjendjes. Burgu i Manastirit ka kapacitet për 60 persona në pjesën e burgut dhe 22 persona në repartet për paraburgim”. Imami, Rexhep Memishi është dënuar me shtatë vjet burg pas aksionit anti-terrorist të MPB-së në vitin 2015. Ai ankohet se në mënyrë të padrejtë mbahet në burgun komunal, për shkak se në këtë burg dënimin e vuajnë vetëm personat e dënuar deri në tre vjet.

“Për dënim prej shtatë viteve po e vuaj dënimin në këtë burg që është burg komunal. Nuk ka kushte për dënimet që zgjasin shtatë vjet. Andaj do ju lusja që të dërgoni kërkesë deri tek avokati i popullit të Maqedonisë, që të vijë të na vizitojë”, tha Rexhep Memishi, i burgosur në burgun e Manastirit.

Avokati i popullit Ixhet Memeti, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2017 dje deklaroi se nuk ka pasur përmirësim të të drejtave të njeriut në vitet e kaluara. Edhe pse ka ngritur pesë padi penale kundër pjesëtarëve të MPB-së, megjithatë nuk ka pasur epilog juridik. Memeti thotë se kanë reaguar edhe për sjelljen e nëpunësve nëpër burgje. “Vetëm për njërën ka akuzë, të tjerat janë refuzuar.

Flas vetëm për vitin 2017. Të mos flas për paditë tona kundër nëpunësve të cilët punojnë nëpër burgje. Të njëjtë me arsyetime të çuditshme dhe pa hetim, refuzohen. Ministria për punë të brendshme, shpesh herë informon se kanë vepruar në përputhje me ligjet”, tha Ixhet Memeti, Avokati i Popullit.

Kushtet e mjerueshme në burgjet e Maqedonisë u përmendën edhe në raportin vjetor të vitit të kaluar të Avokatit të popullit. Për problemet në qelitë e burgjeve, Avokati i popullit i ka njoftuar edhe Kombet e Bashkuara./Tv21

SHKARKO APP