Censusi i zhvilluar në Serbi/ Kreu i Komunës së Preshevës: I zhgënjyer nga Tirana dhe Prishtina
Në Preshevë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë me 58 mijë e 845 banorë. Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë në Bujanoc deri më tani janë regjistruar mbi 54 mijë qytetarë dhe mbeten edhe diku rreth 90 shtëpi të regjistrohen e në Medvegjë janë regjistruar tetëmijë. Për të deri tani i bie që rreth 100 mijë shqiptarë kanë deklaruar kombësinë në Serbi. Për drejtuesit e institucioneve lokale, censusi i zhvilluar në Serbi, e sidomos në Luginën e Preshevës ishte një sukses.
“Ne kemi pasur qëllim që të kalonim mbi 120 mijë shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe numri i të regjistruarve është 120 mijë. Do ta shohim në analizat e mëtejshme”, thotë për A2 CNN Shqiprim Arifi, kryetari i Komunës së Preshevës. Po ashtu Arifi thotë se përpjekjet e Serbisë për të pakësuar numrin e shqiptarëve rezultuan të pasuksesshme, për shkak se procesi mbikëqyrej nga Bashkimi Europian.
“Unë besoj shumë që Bashkimi Europian e mbikëqyr këtë proces shumë mirë, sepse ndonjë ndërhyrje në këto të dhëna nënkupton edhe ballafaqim edhe me të dhënat tona, sepse ne i kemi edhe të dhënat paralelisht të verifikuara. Kështu që atëherë hyjmë në një situatë nuk besoj se i leverdis as Serbisë dhe as Bashkimit Europian.
Për shkak se kemi pasur besim te Bashkimi Europian kemi qenë kaq shumë të angazhuar në fushatë, që ta përkrahim censusin, sepse po të mos ishte, do të kishim qenë të dështuar që në start nëse do të ishim marrë me Serbinë.
Deklarata e Presidentit Vuçiç është deklaratë nonsens, e cila i përket më shumë paramendimeve dhe imagjinatës së tij, siç ka dëshirë, sepse në 10 vitet e fundit në politikë ai ka pasur dëshirë që numri i shqiptarëve të zvogëlohet dhe jo të rritet. Kështu që në këtë drejtim, unë do të pres, ne po presim se çfarë do të ndodhë, edhe me marrëveshjen me Kosovën dhe si do të vazhdojë”.