Daçiç thirrje Ambasadorit amerikan: Mos u përziej në punët e brendshme të Serbisë

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç i bëri thirrje ambasadorit amerikan, Kyle Scott që mos përzihet në punët e brendshme të Serbisë. Ky reagim vjen pasi ambasadori, komentoi deklaratën e ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili lavdëroi ditë më parë një ish gjeneral serb për rolin e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë në vitin 1999. Vulin foli në një takim të ish-ushtarakëve të batalionit të tretë të Armatës Jugosllave në të cilin morën pjesë edhe Vladimir Lazareviç, ish-shef i shtabit të armatës jugosllave në Prishtinë dhe Nikola Shainoviç, ish-zëvendëskryeministër i Jugosllavisë, që të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.

Ambasadori amerikan, Kyle Scott teksa komentoi qëndrimin e Vulin shkroi në twitter se “për fat të keq, muaj të tërë të punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, mund të dëmtohen nga një deklaratë”. Ministri serb, Vulin, tha se Serbia “nuk ka shkaktuar luftëra” dhe se ish gjenerali Lazareviç, është njeri i lirë. Ish gjenerali serb Vladimir Lazareviç dhe politikani, Nikola Shainoviç, qenë dënuar për rolin e tyre në fushatën kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë së cilës i vranë mbi 10 mijë veta, u zhdukën mijëra të tjerë dhe u dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë. Lufta gati dy vjeçare në Kosovë mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, tha se ambasadori amerikan nuk duhet të përzihet në punët e brendshme të Serbisë, ndërsa theksoi se deklaratat rreth të dënuarit të Hagës, Vladimir Lazareviç, nuk mund të dëmtojnë marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve. Duke theksuar se ai e ka “vuajtur dënimin me burg”, ministri serb tha se “kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj do ta vuaj atë, ndërsa Ante Gotovina është liruar nga aktakuza për krime dhe po bëhet gati të bëhet president i Kroacisë, ndërsa e patë se tash edhe Naser Oriç, u lirua nga akuzat”, tha ai. Komentet e ministrit serb Daçiç, u bënë gjatë punimeve të “Forumit të Beogradit për Siguri”, në të cilin po merr pjesë edhe zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller, për të diskutuar në temën “Partneriteti NATO-Serbi, ndihmon sigurinë në Ballkanin Perëndimorë”. Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, tha në këtë forum se Serbia është partner i besueshëm i NATO-s, por, do të vazhdojë të mbetet e paanshme nga pikëpamja ushtarake.

Ajo ritheksoi synimin e Serbisë për integrime evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën, aleate tradicionale e Serbisë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Ajo tha se sfida kryesore e sigurisë është Kosova “të cilën Serbia e përjeton emocionalisht”.

 

 

SHKARKO APP