Deputeti Lushtaku flet për veriun e Kosovës: Të mbyllim kufijtë
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku thotë se është e nevojshme mbyllja e kufijve, në mënyrë që të shmanget tensionimi i mëtejshëm i situatës në veri të Kosovës. Lushtaku tha se njëkohësisht qeveria e Kosovës duhet të ruajë aleancën me SHBA-të.
”Ministria e Brendshme duhet të ketë kujdes të mos lejojë të sillen ekstremistë radikalistë nga Bosnja dhe Serbia, për të tensionuar edhe me tej gjendjen. Është shumë e rëndësishme që të kemi koordinim edhe me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të mbyllen kufijtë derisa të qetësohet gjendja.
Situata po keqpërdoret nga Beogradi, duke i thirrur serbët për të ushtruar dhunë dhe për të tensionuar edhe më tej gjendjen. Në aspektin e lobimit dhe mirëinformimit, gjendja është përgjegjësi e qeverisë së Kosovës. Duhet t’i mirëkuptojmë vendet e Quint-it. Shteti i Kosovës e ka për detyrë të ushtrojë funksionet e veta edhe në veri të vendit.
Ne kur e kemi shpallur pavarësinë e kemi shpallur edhe në këtë pjesë të vendit. Beogradi po mundohet të dalë viktimë në këtë situatë. Ka tensionim dhe zhvendosje të vëmendjes duke nxitur serbët ekstremistë radikalë të rrisin tensionin atje. Qeveria duhet të ketë kujdes, të mos dëmtojë aleancën me SHBA”,-tha Mërgim Lushtaku.