Dërgesa ushtarake ruse mbërrin në Serbi, Vuçiç: Nuk kemi plane për pushtim
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mori pjesë në ceremoninë e pranimit të dhjetë automjeteve të blinduara nga Rusia. Pas ceremonisë ai tha se deri në fund të vitit shteti rus do të dërgojë edhe armë të tjera në Serbi, të cilat tashmë janë blerë ose janë dhuruar.
I pyetur nga gazetarët nëse është e vërtetë që Rumania, javën e kaluar, ka ndaluar transportimin e dërgesave ushtarake ruse në Serbi, Vuçiç konfirmoi se ato janë ndaluar teksa kalonin përmes rrugës së Danubit.
Nga ana tjetër Vuçiç nuk tregoi mënyrën se si automjetet e blinduara ruse iu dorëzuan Serbisë, por tha se kjo është bërë në përputhje me ligjin.
“Nuk do të flisja për këtë. I kemi respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare dhe gjithçka është bërë në përputhje me marrëveshjen me Rusinë. Ato kanë ardhur me gjithë kundërshtimet e disave. Këto na duhen për të ruajtur sovranitetin… Nuk kemi plane për pushtim, këto na duhen vetëm për të mbrojtur vendin tonë”, tha Vuçiç pas pranimit zyrtar të automjeteve të blinduara BRDM-2MS në Nish.
Vuçiç gjithashtu falënderoi Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
“Tani është në modë të flitet kundër Putinit. Unë nuk dua të jem modern dhe popullor, unë dua të jem falënderues ndaj Putinit”, tha ai.
Ai njoftoi se deri në fund të vitit në Serbi do të mbërrijnë edhe katër helikopterë luftarakë Mi-35, tre helikopterë transporti Mi-17, si dhe tanke të tjera BRDM-2MS dhe T-72 nga Rusia.