Dhuna në Maqedoni, zbardhen bisedat e huliganëve: Pse s’na sollët kokat e deputetëve (Video)
Të tjera video të publikuara në media tregojnë dhunën barbare të ushtruar në Kuvnedin e Maqedonisë dy ditë më parë.
INA ka siguruar videon e momentit kur janë pritur me brohoritje personat e maskuar që rrahën brutalisht deputetët e LSDM dhe kreun e LR-PDSH, Ziadin Sela.
Madje njëri nga përkrahësit ka kërkuar kokat e tyre, duke mos saktësuar se për kë e kishte, shkruan INA.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë publike se pas ngjarjeve të djeshme dhe trazirave 83 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalet e Shkupit, nga të cilët 54 qytetarë, 25 policë dhe 3 deputetë e një gazetar.
Shumica e të lënduarve janë lëshuar nga spitalet, ndërkaq disa dhjetëra janë mbajtur për shërim, për shkak të lëndimeve më serioze. Ministria bëri me dije se janë arrestuar 8 persona të cilët kanë ushtruar dhunë në Parlamentin e Maqedonisë dhe ata po mbahen në stacion policor.
Ministri i Punëve të brendshme i Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se një pjesë e strukturave udhëheqëse të dikasterit të policisë nuk e kanë kryer punën si duhet dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi. Ai paralajmëroi dorëheqjen dje, duke u shprehur se ndjente përgjegjësi për këtë akt të pashembullt.