Dhuna në Parlament, ministri i Brendshëm në Maqedoni: Policia nuk reagoi në mënyrë të shpejtë dhe efikase
Ministri i Brendshëm në Maqedoni, Agim Nuhiu ka folur për ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Maqedonisë ku si pasojë e hyrjes së protestuesve brenda godinës u plagosën disa deputetë dhe gazetarë. Në një lidhje telefonike për “News24” dhe “BalkanWeb”, Agim Nuhiu tha se situata u përshkallëzua pasi policia nuk reagoi në mënyrë të shpejtë dhe efikase, ndërsa pranoi se në strukturat e policisë ka interesa poltike. Ndër të tjera ministri shqiptar në Maqedoni u shpreh se janë marrë të gjitha masat dhe përgjegjësit që shkaktuan dhunën do dalin para përgjegjësisë.
“Grupet të caktuara kanë shkaktuar incidente dhe dhunë ndaj deputeteve në Parlament. Si ministër i Brendshëm ndaj besimin se policia nuk ka reaguar në mënyrë të shpejtë dhe efikase, pasi në strukturat e policisë ka ndikime të interesit politik. Kam konsideruar që policia të marrë të gjitha masat që të bëhet evakuimi i deputeteve dhe t’i nxjerrim nga Kuvendi. Kemi futur edhe kontrollet e brendshme për kontrollin e policisë”- tha Nuhiu për “News24”.
Çfarë masash po merren ndaj personave që shkaktuan dhunën?
Ne jemi duke identifikuar të gjitha faktet dhe provat dhe të gjithë do dalin para drejtësisë.
Si arritën protestuesit të hyjnë ne Kuvend?
Policia në momentet e para nuk reagoi në mënyrën e duhur. Nëse policia do reagonte në momentet e para nuk do ndodhte kjo situatë dhe nuk do përshkallëzohej.
Flitet që protestuesit po qëndrojnë para Kuvendit dhe kanë ngritur çadra, është e vërtete?
Po kemi informacione që protestuesit kanë ngritur çadra dhe janë para Parlamentit.
Si është gjendja e protestuesve?
Kemi pasur një deputet shqiptar me më shumë lëndime serioze, por gjendje e tij është stabile.