Do anulohen zgjedhjet në veri të Kosovës? Osmani tregon se kur do merret vendimi
Për shkak të tensioneve të forta që janë shfaqur në veriun e Kosovës, kanë vënë në pikëpyetje edhe mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme komunale. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë me dije ditën e sotme se vendimi do të merret gjatë dy ose tre ditëve në vijim.
“Kam kërkuar raport në baza ditore. Sot kam takim me disa institucione të sigurisë, të cilat përafërsisht çdo orë më njoftojnë rreth zhvillimeve në veri. Tani janë duke më pritur në zyrë dhe është një ndër takimet e shumta qe do ta kem lidhur me situatën”.
Po ashtu Osmani ka shpjeguar edhe mënyrën sesi mund të vijë deri te shtyrja e zgjedhjeve, duke përmendur opinionin e Komisionit të Venecias.
“Si rregull ekzistojnë kritere të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për çështje të shtyrjes së zgjedhjeve. Në këtë rast duhet të bëhet vlerësimi nga institucionet e sigurisë, të trajtohet në KQZ e më pastaj propozimi i KQZ-së vije në Presidencë, mirëpo Komisioni i Venecias i kërkon Presidencës patjetër të konsultojë partitë politike. Besoj që në dy tri ditët në vijim gjithçka do të qartësohet”, ka thënë Osmani, duke shtuar se patjetër duhet të ketë koordinim ndërmjet partive politike.