Dorëheqja e Kammenos, Tsipras emëron ministrin e ri të Mbrojtjes
Ministri i ri i Mbrojtjes në Greqi pas dorëheqjes së Panos Kammenos, do të jetë shefi i Mbrojtjes Admiral, Evangelos Apostolakis, raportoi kryeministri Alexis Tsipras.
“Për gati 4 vite kam qenë në një bashkëpunim të ndershëm dhe të sinqertë me Panos por vijmë nga familje të ndryshme politike,” tha kryeministri grek pas takimit me kreun e ANEL, Kamenos.
“Pas një bisede të pastër me të e falenderoj me gjithë zemër për të gjithë kontributin e dhënë në koalicion,” përfundoi Tsipras.
Ministri dhe njëkohësisht lideri i partisë ANEL, Panos Kammenos deklaroi se partia e tij do të tërhiqet nga koalicioni me qeverinë greke, pas takimit me kryeministrin Alexis Tsipras.
Pas takimit në rezidencën Maximos, në një deklaratë për shtyp Kammenos tha se pati një bisedë të gjatë me kryeministrin.
“Patëm një bashkëpunim që zgjati plot 4 vite në një qeveri për unitet kombëtar. Ne arritëm shumë sëbashku. Falenderova kryeministrin. Në çështje kombëtare, bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë. ANEL tërhiqet nga qeveria,” tha ai.