Drafti për Asociacionin, LDK: Drejt federalizimit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se për partinë që drejton draft statuti për Asociacionin, është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit. Këto komente, Abdixhiku i bëri pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, e organizuar vetëm pak ditë pasi partia që ai udhëheq pranoi draftin e Asociacionit nga Bashkimi Evropian.
“Ajo na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me rezolutën 12/44 si paralele e deklaratës së shpalljes së pavarësisë dhe përfundon në Arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Se si institucionet e Kosovës pranojnë një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e shpalljes së pavarësisë me Rezolutën 12/44 në një akt normativ të brendshëm dhe se si pranojnë që Asociacioni si trup autonomie të mbajë jo brenda Gjykatës Kushtetuese por në sistem arbitrazhi për ne kjo mbetet tërësisht e pakuptimtë.
Përgjigjen e tyre mund ta gjejmë te vetëdeklarimet e tyre, që Kosovën republikë sovrane e të pavarur e shohin veçse të përkohshme. Situata e tanishme është më e rënda e mundshme që kemi pasur ndonjëherë. Në këtë pikë dua ta bëj të qartë se LDK nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit tonë unitar dhe jashtë rregullimit territorial të Kosovës. Përtej këtij qëndrimi nuk mund të kapërcejmë”.