Ekstremizmi në Ballkan, sa i rrezikshëm për rajonin dhe Perëndimin?

Ekstremizmi i dhunshëm është një ndër sfidat e reja që janë shfaqur në Ballkan gjatë viteve të fundit. Për frymë popullate, në Ballkan gjenden disa nga vendet me numrin më të madh të rekrutëve në Evropë. Qendra për Marrëdhënie Transatlantike zhvilloi një diskutim mbi temën e rrezikut që përbën ekstremizmi ballkanik. Pjesëmarrësit në diskutim vënë në dukje se ky ekstremizëm, më parë një problem që eksportohej jashtë kufijve të Ballkanit, tani është një kërcënim për sigurinë e vetë rajonit.

Sipas përllogaritjeve, rreth 800-1000 individë nga Ballkani janë angazhuar në konfliktet në Siri dhe Irak gjatë viteve të fundit. Rreth 40% prej tyre mendohet se janë kthyer, duke prezantuar një kërcënim të ri për Ballkanin dhe më gjerë për Evropën, thotë analisti Spencer Boyer. Ai e ndjek me vëmendje situatën në Ballkan si specialist në Këshillin Kombëtar të Zbulimit, një strukturë konsulente brenda qeverisë amerikane:

“Luftëtarët që kthehen shërbejnë si rekrutë për ISIS dhe ushqejnë destabilitet. Këta individë të radikalizuar edhe më tej në fushë të betejës, të stërvitur në ndërtimin e mjeteve eksplozive, në përdorimin e armëve përbëjnë një kërcënim akut për sigurinë,” thotë analisti Boyer.

Problemi i ekstremizmit islamik, një fenomen që vërehet edhe në disa vatra të Evropës Perëndimore, është veçanërisht shqetësues në Ballkan thekson Edward Joseph i Institutit për Problemet Aktuale Botërore:

“Duhet të kemi parasysh faktin që Ballkani ruan përçarje brenda vetes që e bëjnë situatën edhe më të brishtë, por edhe më të prekshëm nga influenca të tilla”.

Dëshmi e karakterit të trazuar të Ballkanit, thotë zoti Joseph, janë ringjalljet e simboleve dhe figurave që ushqejnë armiqësitë etnike, rehabilitimi i disa prej figurave më të disktretituara në histori, për shembull në vende si Serbia dhe Kroacia, që nuk kanë asnjë lidhje me islamin.

Për këtë arsye, pjesëmarrësit e shohin radikalizmin islamik në Ballkan si një fenomen me përmasa dhe potencial rreziku që e kapërcen numrin e rekrutëve xhihadistë.

Analistët sjellin perspektiva të ndryshme në diskutimin e shkaqeve që ushqejnë radikalizmin në Ballkan, por konsensusi i përgjithshëm është se ky dekada pas rrëzimit të komunizmit dhe pas luftrave të viteve ’90, hija e konfliktit nuk i është ndarë rajonit. Shumë vende të Ballkanit ende nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen, thotë analisti Adrian Shtuni, i firmës konsulente“Shtuni Consulting LLC”:

“Shoqëri si Maqedonia, ose Bosnja në Ballkan kanë një problematikë pak më të lartë sepse mungon koezioni social. Në momentin që koezioni social nuk është aty ku duhet, elementët ekstremistë gjejnë një vatër dhe e shfrytëzojnë. Prandaj, nëse nuk gjendet një gjuhë e përbashkët për asgjë tjetër, në përballjen me ekstremizmin e dhunshëm duhet gjetur gjuha e përbashkët sepse ky fenomen e prek gjithë shoqërinë, sepse nuk nuancon midis një etnie apo një etnie tjetër”.

Zoti Shtuni thekson se problemi vërehet edhe në një vend homogjen nga pikëpamja etnike dhe fetare, siç është Kosova:“Ke fenomenin e luftës, është ajo hija e luftës që akoma mbetet, është fakti që shoqëria nuk po e gjen një vektor, nuk po e gjen një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë dhe kam përshtypjen që çështjet e identitetit sidomos në Kosovë duhet të shihen më në thelb”.

Ekzistenca e ekstremizmit të dhunshëm vë në rrezik proceset integruese për vendet ballkanike që duan të aderojnë në BE apo NATO, në një kohë që ambicjet euro-atlantike janë garancia më e fortë për t’i mbajtur këto shoqëri të fokusuara drejt Perëndimit. Zoti Shtuni sjell shembullin e Kosovës.

“Nëse nuk mund të bashkohesh me Bashkimin Evropian dhe nuk është një vizion i qartë se çfarë do bëhet; nëse nuk mund të bashkohesh me shqiptarët e tjerë në Ballkan atëherë duhet të ketë një platformë se çfarë do të bëhet sepse nuk mund të mbahet Kosova në purgator për një kohë shumë të gjatë,” thotë zoti Shtuni.

Kur është fjala tek përgjigja ndaj problemit, rekomandimet nuk ofrojnë një zgjidhje të qartë, apo të momentit:

“Duhet të mbyllen çështjet e hapura të Ballkanit. Duhet t’u bëhet sfidë individëve që po ushqejnë thellimin e përçarjeve në Ballkan si Milorad Dodik, me referendumin e tij provokativ në Bosnje. Duhet të marrë fund kundërshtimi grek ndaj emrit të Maqedonisë që e mban këtë vend peng në përpjekjet e tij për antarësim në NATO, apo BE. Duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet që e mbajnë Kosovën peng dhe bllokojnë njohjen e saj nga pesë vende të tjera të BE. Në këtë mënyrë ky rajon bëhet më i stabilizuar dhe më i paprekshëm nga radikalizmi,” thotë analisti Edward Joseph.

Për zotin Shtuni, zgjidhja duhet gjetur nga vetë shoqëritë që po ballafaqohen me këtë kërcënim:

“Jo gjithmonë ke nevojë për të pasur një organizatë për t’u marrë me këtë problematikë, jo gjithmonë ke nevojë për fonde nga jashtë, sepse kam përshtypjen se është krijuar një vartësi shumë e madhe, për mendimin tim jo e arsyeshme kur vjen puna tek fondet. Mendoj që nëse shoqëria e shikon këtë si problematikë, duhet të gjejë mënyrat dhe mjetet e veta për t’iu qasur problemit”.

Pavarësisht nga perspektivat e ndryshme në diskutimin e shkaqeve dhe përgjigjes ndaj problemit, analistët janë të një mendjeje se ndikimi i ekstremizmit ballkanik i kapërcen kufijtë e Ballkanit:

“Përhapja e xhihadizmit në Ballkan i vë në rrezik interesat amerikane, veçanërisht në një kohë kur partneri kryesor i Shteteve të Bashkuara – Bashkimi Evropian, po ballafaqohet me përçarje të brendshme. Zgjerimi i ekstremizmit islamik dhe destabilizimi i mëtejshëm i rajonit nënkupton se vendet ballkanike që nuk janë përfshirë ende në BE do ta kenë më të vështirë të bindin Bashkimin për t’i pranuar. Integrimi euro-atlantik i Ballkanit është në interesin e drejtpërdrejtë amerikan,”thotë analisti i shërbimeve amerikane të zbulimit Spencer Boyer.

Një Ballkan i izoluar dhe i radikalizuar më tej do të jetë kokëçarje e vazhdueshme për Perëndimin, thotë zoti Shtuni:

“Ballkani nuk është vetëm i ballkanasve, Ballkani është urë kalimi që po shfrytëzohet dhe ka grupe të caktuara, dhe qeveri dhe vende të caktuara që janë të interesuara që të kenë më tepër influencë në atë rajon”.

Një Ballkan i destabilizuar, ose i përjashtuar nga BE-ja nuk është thjesht një terren tërheqës për radikalizmin islamik, apo nacionalizmin e rrezikshëm, por edhe për Rusinë që është e interesuar të dobësojë influencën amerikane dhe evropiane në botë. Ky potencial rreziku, thonë pjesëmarrësit, duhet të vazhdojë të udhëheqë politikat evropiane dhe amerikane ndaj Ballkanit.-VOA

 

SHKARKO APP