“Emri i ri i Maqedonisë do ketë përcaktues gjeografik”, mediat greke publikojnë propozimet
Emri i ri i Maqedonisë të përmbajë përcaktues gjeografik. Nëse palët arrijnë marrëveshje për zgjidhje, atëherë emri i ri të jetë për përdorim të përgjithshëm dhe i njëjti të përdoret pas anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. “To Vima” greke publikoi pjesë të pakos së ndërmjetësit të OKB-së Metju Nimic, sipas së cilës pakoja parasheh që pranë emrit Maqedoni të ketë modifikues si: Gorna, Severna, Nova ose Vardarska.
Nimic, sipas “To Vimës”, në dokumentin e tij si shembull për sqarim ka marrë emrin Gorna Makedonia. Sipas gazetës greke dokumenti i Nimicit parasheh që “Jo më vonë se në datën e pranimit të IRJM-së në NATO, Shkupi do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në mënyrë që të kryejë të gjitha marrëdhëniet e saj dypalëshe me të gjitha vendet me emrin Republika Gorna Makedonia. Pranimi në NATO bazohet në procedurat dhe rregullat e Aleancës pëlqimin unanim për të pranuar një anëtar të ri”.
E njëjta sipas “To Vimas” vlen edhe për integrimin e vendit në BE, por edhe për përdorimin e brendshëm të emrit. “Jo më vonë se data e pranimit të Shkupit në BE, emri i ri do të jetë i vetmi që përdoret brenda dhe jashtë vendit, por do të ketë përjashtime të brendshme në IRJM. Emërtimi aktual kushtetues mund të përdoret brenda vendit në aktivitete që nuk janë nën juridiksionin e BE-së”.
Megjithatë në tekst askund nuk përmendet ndryshimi i Kushtetutës. Termi “Makedonija”, qoftë në interpretimin e saj sllav, ose të përkthyer, nuk mund të përdoret vetë nga IRJM-ja si emër zyrtar i shtetit në asnjë kornizë. Madje as për përdorim komercial përdorimi i emrit Maqedoni nuk do të ketë eksluzivitet.
Me këtë dokument i jepet përgjigje edhe shumë pyetjeve rreth identitetit dhe rreth asaj se si do të mund të quhemi pas ndryshimit të emrit të vendit. Kështu shtetësia do të vazhdojë të mbetet maqedonase, respektivisht “makedonski”. Për shembull: Ai është qytetar maqedonas, ose është qytetar i Gorna Makedonija. Emri zyrtar i propozuar për gjuhën është Makedonski (maqedonisht), ose gjuhë zyrtare në Republikën Gorna Makedonija. Gjithsesi, parashikohet mundësia që shtetet tjera anëtare të OKB-së dhe palët e treta të mund ta përkthejnë emrin e ri sipas gjuhëve të tyre në të gjitha gjuhët e tjera, në përputhje me përdorimin e pranuar në secilën gjuhë.
Sa i përket pretendimeve territoriale dhe deklaratave armiqësore të një natyre irredentiste, të dyja palët do t’i denoncojnë ato. Athina dhe Shkupi do të konfirmojnë respektin e tyre për trashëgiminë kulturore të njëra-tjetrës. Pakoja e Nimicit parash që Greqia të mos ngrejë asnjë kundërshtim ndaj Shkupit gjatë anëtarësimit në NATO dhe BE. Nimic ka propozuar që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe BE-ja të luajnë një rol udhëzues gjatë gjithë periudhës kalimtare. Ndërsa kur të arrihet marrëveshja, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të miratojë një rezolutë që do të miratojë emrin e ri, p.sh. Republika Gorna Makedonija, e cila pastaj do të ratifikohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, njofton Alsat M.