Gjenerali amerikan: Rusia po forcohet në Ballkan
Në një kohë kur u përfol për kërcënimin e të dërguarve të administratës së Donald Trump për të mbyllur bazën amerikane “Bondsteel” në Kosovë, gjenerali kryesor amerikan në Europë ka alarmuar senatorët në SHBA, mbi rritjen e influencës ruse në Ballkan.
Ai ka quajtur me rëndësi praninë e çdo force amerikane në rajon, përfshirë edhe trupat e KFOR-it, të cilët, sipas tij, po luajnë një rol të rëndësishme në ruajtjen e sigurisë, në një kohë kur Rusia po përpiqet të dominojë rajonin. Por, sipas gjeneralit Curtis M. Scaparrotti, Ballkani është një rajon i brishtë për nga siguria dhe Rusia po përdor pikat e dobëta në këtë rajon për të rritur ndikimin e saj.
Vendet e Ballkanit, sipas komandantit të Forcave të SHBA-ve në Europë, Scaparrotti, janë shënjestra kryesore të ndikimit të Rusisë. Scaparrotti, i cili gjithashtu është komandant Suprem i Aleancës së NATO-s në Europë tha në një dëshmi para Senatit amerikan se Ballkani është një rajon me rëndësi strategjike. Duke komentuar për çështjen më të debatuar në rajon, mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, Scaparrotti tha se “Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve dhe arritjen e një zgjidhjeje afatgjate që është e zbatueshme për dyja vendet janë aktualisht në pritje.
Rusia e ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik”. Sipas tij, përmes ndihmës politike, ushtarake dhe ekonomike Rusia mundohet të ruajë ndikimin e saj në Serbi. “Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR), e cila përfshin mbi 3,500 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vendet e tjera, luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në këtë rajon”, tha Scaparrotti.
Në dëshminë e tij para komitetit për Forca të Armatosura në Senat, gjenerali amerikan ka thënë po ashtu se Rusia është konkurrent afatgjatë strategjik që i sheh Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën e NATO-s si kërcënim kryesor për ambiciet e saj gjeopolitike. “Moska synon të shtrijë ndikimin në vendet periferike të saj për të minuar solidaritetin e NATO-s dhe për të shkelur rregullat në të cilat bazohet rendi ndërkombëtar”, theksoi Scaparrotti.