Gjorge Ivanov refuzon t’i japë mandatin Zoran Zaevit

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i është përgjigjur letrës së kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, për dhënien e mandatit
për formimin e qeverisë së re kreut të LSDM-së, Zoran Zaevit.

Në letrën e kreut të shtetit thuhet se Ivanov pret nga lideri i LSDM-së të përmbushë premtimin e dhënë se “partnerët e koalicionit do të sigurojnë garanci për forcimin e karakterit unitar të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në përputhje më Kushtetutën e Maqedonisë”.

“Presidenti Ivanov mbetet në qëndrimin se e ashtuquajtura Platformë e Tiranës dhe asnjë dokument tjetër, akt apo veprim në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, nuk mund të jetë kusht, e as bazë për formimin dhe punën e qeverisë së Maqedonisë.

Lidhur me mandatin, Presidenti do të veprojë në përputhje me kushtetutën dhe praktikën e deritanishme”, thuhet në letrën me shkrim të kabinetit të presidentit.

Përgjigja e Ivanovit vjen pas letrës së kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili edhe njëherë kërkoi nga presidenti mandatimin e Zoran Zaevit për kryeministër.

Xhaferi një letër e kishte dërguar më 4 maj, por edhe atëherë nga kabineti kishin njoftuar se presidenti do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, por pa saktësuar qëndrimin e tij lidhur me zhbllokimin e formimit të qeverisë së re.

Kriza në Maqedoni kulmoi në dhunë më 27 prill kur protestuesit e nismën “Për Maqedoni të bashkuar” pushtuan Kuvendin pak çaste pasi shumica e re parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin për Kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, përcjell “Rel”.

SHKARKO APP