Gjuha shqipe përfundimisht zyrtarizohet në Maqedoni javën e ardhshme
Një vit pas miratimit të tij në Kuvend, ligji për përdorimin e gjuhëve më në fund pritet të fuqizohet, duke u shpallur në Gazetën Zyrtare edhe pa nënshkrimin e Presidentit Gjorge Ivanov.
Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Maqedonisë Bujar Osmani, duke theksuar se do të respektohen procedurat ligjore.
“Ishte një rastësi e mirë që në të njëjtën datë, më 11 janar u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, më 11 janar edhe ndryshimet kushtetuese. Por ajo që është edhe më e bukur, është se presim që javën e ardhshme, kryetari i parlamentit të zyrtarizojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, krejtësisht kjo në kuadër të ligjit dhe kushtetutës me çka edhe fillon zbatimi zyrtar i shqipes në institucionet qendrore, në tërë vertikalen e institucioneve shtetërore. Natyrisht këtu fillojnë edhe sfidat ëpr një zbatim të saktë, gjithëpërfshirës dhe zbatim të një gjuhe standarde”, pohoi Osmani për Alsat.
Nga kabineti i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi televizioni nuk ka arritur të sigurojë një përgjigje, megjithatë Xhaferi në vazhdimësi kishte paralajmëruar publikimin në Gazetën Zyrtare të Ligjit për gjuhët dhe Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, edhe pse presidenti Gjorge Ivanov ka refuzuar t’i dekretojë.
“Unë ju kam thënë që unë nuk vuaj nga afatet për faktin që nuk jam i ngushtuar nga afatet dhe është çështje e vlerësimit tim se kur është momenti për me e nënshkruar dhe me dërguar ligjin për gjuhët së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën zyrtare”, ka thënë Xhaferi./Alsat/