Gjykata Themelore e Prishtinës cakton 30 ditë paraburgim për serbin Millenkoviç

Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kundër të dyshuarit Dragisha Millenkoviq nga Komuna e Graçanicës. Ai është arrestuar më 21 qershor nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në një njoftim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Masën e paraburgimit ndaj Millenkoviqit e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe avokati i Millenkoviqit, Dejan Vasiq, duke theksuar se do të ankohet kundër një vendimi të tillë gjyqësor. Millenkoviq dyshohet se si ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në maj dhe qershor të vitit 1999 “ka kryer sistematikisht tortura, dhunë fizike dhe psikologjike”, dhe se “i trajtoi të burgosurit shqiptarë në mënyrë çnjerëzore”.

Gjatë arrestimit, policia ka kontrolluar edhe shtëpinë e tij, ku siç raportohet i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një revole, një thikë ushtarake, një shufër metalike, dokumente, vendime, shënime dhe telefonin personal.

Ndërkohë, më 22 qershor, në Graçanicë, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, është mbajtur protestë me kërkesën për lirimin e Millenkoviqit. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e kanë kundërshtuan këtë arrestim.

Ata deklaruan se Millenkoviq është arrestuar “pa bazë” dhe se autoritetet kosovare me këtë arrestim po “u hakmerren” serbëve në Kosovë. Por, ata nuk dhanë prova për pretendimet e tyre. Gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 persona. Besohet se 76 për qind e tyre ishin civilë. Gjithashtu, ende janë duke u kërkuar rreth 1.600 persona të zhdukur, kryesisht nga komuniteti shqiptar.

SHKARKO APP